Lea Ypi me veprën e saj “Të lirë”, një reflektim mbi diktaturën, tranzicionin, politikën dhe shoqërinë shqiptare, u shpall fituese e çmimit “Lumo Skëndo”.
Në këtë event të organizuar për herë të parë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, merrnin pjesë ministrja e Kulturës, Evla Margariti, shkrimtarja Elena Kadare, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim si dhe emra të njohur të krijimtarisë letrare.
Ministrja Margariti theksoi se ishte kënaqësi që ky edicion i parë i ndarjes së këtij çmimi nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit u shenjua nga emra si Fatos Lubonja, Rubens Shima, Fatmir Toçi e Kujtim Shala, me vepra dinjitoze, që mund të ishin po ashtu fituese në llojin e vet.
Ajo uroi që ky çmim të jetë një nxitje më shumë për njerëzit e letrave.
I konceptuar për herë të parë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit si një çmim kushtuar librit më të mirë në lëmin e studimeve, eseistikës apo publicistikës, në nder të emrit të pasuesit të Rilindasve që mbrujti familja e Frashërllinjve, për vitin 2021, Çmimi “Lumo Skëndo” iu dha shkrimtares Lea Ypi, si autore e librit “Të lirë”, për vlerat e shquara në trajtesën origjinale, artistike e filozofike të konceptit të lirisë në kohën e diktaturës komuniste dhe të tranzicionit demokratik në Shqipëri, nëpërmjet kujtimeve të fëmijërisë dhe adoleshencës, dhënë me vërtetësi, sinqeritet, ndjeshmëri, humor, meditim politik e filozofik bashkëkohor.