Kulturë “LOTUS” në syrin poetik të Ermira Mitres

“LOTUS” në syrin poetik të Ermira Mitres

Rreth vëllimit me poezi “LOTUS” – i poetes, esseistes dhe përkthyeses, Ermira Mitre Kokomani

Të shkruash libër me poezi është ndjesia më e brishtë që shpërthen nga bukuria e shpirtit artistik, është vet-mrekullia e cila ekziston brenda gjithçkaje njerëzore. Sepse edhe vetë poezia është liria e ndjenjës, gjendjes emocionale dhe shpirtërore që i ndodh gjithsecilit në jetë.

Në vëllimin e dytë me poezi të titulluar “LOTUS” i poetes, esseistes dhe përkthyeses, Ermira Mitre Kokomani, ka diçka emocionale dhe gjallëruese që na mëson se çfarë është një grua artiste-poete në akord me lirinë e fjalës dhe lirinë e shpirtit, por jo vetëm kaq; edhe me lirinë e të shprehurit dhe “Pse”- jeta e njeriut është Poezi, dhe “Pse”- Poezia është vetë Poeti!

Vëllimi poetik “LOTUS” vjen si një mozaik i këndshëm me poezi. Mes tyre ka poezi tejet origjinale, prekëse, meditative, dedikuese, filozofike, lirike, erotike, sarkazmë therëse plot ironi dhe mençuri, të cilat përcjellin ekzistencën njerëzore, realitetin dhe përvojat jetësore nën efektin e frymës dhe muzës poetike, përcjellin marrëdhëniet e poetes me imazhet tradicionale të natyrës dhe origjinës, njerëzit dhe sendet që e rrethojnë, jetën e saj mes natyrës, hyjnores dhe njerëzores! Ky vëllim me poezi shquhet për kapitujt dhe nëntitujt e veçantë që meritojnë edhe vëmendjen e veçantë rreth konceptit të dukshëm të tematikës së tyre dhe krijojnë harmoninë e forcës së “Ekzistencës”, me intensitetin e fortë emocional të “Mallit për vendlindjen”, dhe stilin ekspresiv të dhimbjes së bukur që është “Dashuria”. Poetja blasfemon në emër të instiktit njerëzor, e kapur “Përdore sëbashku”, me konceptin mistik dhe besnik ashtu sikundër di të falë veçse “Shpirti njerëzor”, për t’u ngushëlluar me imazhin e hirtë “Midis jetës dhe vdekjes”, dhe botëndijimin dhe botëperceptimin e forcës shpirtërore që depërton në thelbin e integritetit plot sharm e krenari femërore mes dëshirës e pasionit, mes kënaqësive normale të jetës dhe paktit të shpirtit intim, i kërkesave të jashtëzakonshme të artit me stilin e “Haiku”–t. Poezia e Ermirës është bashkëbisedimi mitik dhe intim me veten, lexuesin dhe kohën, është universi i lirisë së shpirtit dhe ndjenjës njerëzore shprehur në vargje mistike të alternuara në mënyrë lakonike, gjallëruese dhe të zbehta, porse shprehin “Të vërtetën e virgjër brenda teje” –vargëzon poetja –të vërtetën me origjinalitetin e përvojave jetësore, të gjërave përreth që kanë tërhequr vëmendjen dhe preokupojnë mendimet dhe idetë e poetes, por që “s’mund ta cënojë marrëzi e botës”, -thotë poetja. Ermira zbulon detajet e së vërtetës brenda njerëzores, përmes dhimbjes dhe gëzimit; “Thithe në shpirtin tënd të vërtetën biri im, /derisa fryma jote të arrijë në Perëndim./për të hapur miliona dyer/ që dritën të arrish përtej gjithçkaje”.

Poetja Ermira e fiksuar në marrëdhëniet mes realitetit e imagjinatës, mendon se realiteti dhe “që njeriu gjer më sot ka provuar”! – është një klishe e së vërtetës në dramën e përkohshme të natyrës, njerëzores, jetës, mbijetesës dhe botës së përtejme(vdekjes).

Është një epikë reale që ka nxitur poeten të krijojë pavarësinë e saj krijuese përmes integritetit të gjuhës, ndërtimit fizik të poezisë dhe kulturës poetike thellësisht humane, plot figura artistike, mendime dhe meditime filozofike me rimëbardhat, kadencën, melodinë dhe muzikalitetin e tyre që dëshmojnë objektivat drejt të cilave Ermira ka punuar.

Poezia e Ermirës është gjerdani i artë i fjalës, epitoma e ëndrrave, e dhimbjes dhe dashurisë, pasioneve e dëshirave, mishërimi i bukurisë, shpirtërores dhe psikikes,e kujtesës, trishtimit e dobësisë dhe mrekullisë se jetës në të përditshmen njerëzorë dhe sociale. Mëndafshi i shpirtit poetik të poetes është më unik, më i ndjeshëm dhe më i çeliktë; “Se gjuha, ky muskul i butë/, me cipë të ashpër,/godet mure që të flasë,/ edhe të gëlltisë e vulosë/ me dyllë rrëshire,/brengat e shpirtit labirinth.”;

Ekziston, për shembull, një përballje treguese e asaj se ç’ka përfaqëson “LOTUS” në poezitë e poetes Ermira Mitre Kokomani, e cila e ka zgjedhur atë si simbol kryesor. Poetja shndërrohet në një eksploruese e vetë-dijes dhe subjektivitetit, që referojnë imazhin e forcës dhe mbijetesës; “Të ndjesh se si lind çdo mëngjes”/ në zemër të zambakut e shpirti ndjehet petale e paqtë,/.

Nëpërmjet imazhit të reflektuar poetja rrëfehet për Diellin sikur ta ketë mikun e saj të vjetër; “se si Dielli të përkund në çdo zgjim,/me ninulla dehëse e të fal durim”-duke shpërfaqur në mënyrë të qartë dhe meditative ndjenjën e miqësisë mes vetes, zambakut, e diellit. Është padyshim një magjepsje romantike e stilit frymëzues femëror me anë të mikrofabulave që ngjallin ndjenjë dhe emocion, e cila synon të ruajë sentimentalizmin poetik.

Me tinguj lirikë të nënkuptuar dhe vizion njerëzor, sa emocionuese e sfiduese, poetja Ermira e shpotit “zambakun Lotus” që mbin dhe lulëzon në ujërat e ndotura, i pastër dhe zgjatohet i bukur duke vështruar diellin-“të lulëzosh si Lotus i pandotur mbi ujë”, / me rrënjë të thella e të fuqishme sa dhimbja/”.

Në vargjet e mësipërme poetja kërkon një përshtatshmëri të caktuar të tonit e ndjenjës, ajo luan e sigurt duke zgjedhur, dhe nganjëherë disi me mundim shpalos një imazh të qartë që lind nga refleksioni i meditimit dhe se çfarë poetja simbolizon.

Sikundër jeta, dhimbja e dashuria, ekzistojnë edhe kur ka diell e ngrica, shi e rrebeshe, ujëra të qeta e të rrëmbyeshëm, ujëra të pastra e të ndotura që rrjedhin në udhëtimin e lumtur e të trishtë të jetës, ashtu sikundër dielli sfidon me fuqinë e tij, edhe njeriu sfidon me krahët e fortë dhe mendjen e shëndoshë, derisa arrin të ngrihet mbi vështirësitë e jetës, e cila vazhdon, mbijeton, rilind dhe lulëzon!

Në këtë vëllim poetik gjenden disa poezi që meritojnë vëmendje të veçantë, poezi të shkruara në dialektin dhe stilin e Fishtës. Ndër to demonstrohet dëshira e Ermirës për t’u angazhuar me kompleksitetin e të qenit “grua artiste-poete” në jetën reale, dëshirë e pasion që gjeneron frymëzim për një shtrirje në formë të hershme nga narracioni i origjinës dhe fëmijërisë së poetes, e rritur dhe e edukuar me gjyshe dhe teze ulqinake dhe shkodrane nga e ëma, të cilat e përkundnin duke i recituar në vend të ninullave “mbramjeve”, vargjet gegënisht të Fishtës. Andaj dhe gegënishtja e poetes ndër vargje përshkohet nga metafora brenda sferës së mrekullisë, ëndjes dhe adhurimit të dialektit fishtian.

“M’përkund, n’ andrrën tande t’ papërlyeme, / ndër buzsh t’rreshkuna, /lotin prej qerpikut ma shkund. /M’përkund ndër mollëza gishtash,/lulëkuqe buisun, ndër perla,/ në t’zjarrtin agim”,-

Vargjet e Fishtës kanë lënë mbresa të thella, efektin e qartë dhe të mirëfilltë në jetën e subkoshiencën e poetes, prandaj edhe meditimi ndër marrëdhëniet njerëzore të identitetit të saj rrjedh lirshëm në gegënishten e Fishtës së madh;

“N’mujsha Zanën e Malit,/prej gjumit dekës me e zgjue,/me puthje flokët me ja krehë,/e perlash kokën me ja ndriçue.”

Poetja duke u endur nën dritën e hënës fillon të merret edhe me jetën reale. Vërejmë një poete të heshtur dhe modeste por që guxon të na zbulojë fijet e brengës dhe mallit të përvojave jetësore, bukurisë e groteskes, jetës e vdekjes, ngjarjeve që ka përjetuar në jetë, të cilat pasqyrohen me lirinë dhe përjetësimin e dialogut me veten:“Përse rrotull vjen mesnatës,/engjëll i Vdekjes, fantazmë, terr?/Ç’ke që grykës shtrëngon duart,/frymë e shpirt, përtej i ndjell?”-në nivelin metaforik dhe artistik.

Shpirti i poetes frymon në çdo varg, ajo merr rolin e psikologes e të sociologes dhe gjen prehje në rilindjen e ndjenjave të brendëshme dhe të karaktereve që kanë qenë dhe janë pjesë e jetës së saj, nën aureolën e ekzistencës njerëzore dhe dashurisë.

Poetja shpërthen në vargjet e saj me urtësinë, mënçurinë dhe dhuntinë e parandjenjës të simbolikës e lidhjes së fortë, me lirinë e psikikes e shpirtit përmes ëndrrave dhe vizioneve profetike. Mënyra e vetme për të ngushëlluar shpirtin dhe për t’i shpëtuar së kaluarës së dhimbëshme (humbja e djalit të saj në aksident tragjik), -eksplorimit në frustrimet e dhimbshme të artistes krijuese, Ermira na flet për mungesën e mallin që ndjen për Atë (birin) që nuk do të mundë ta shohë përsëri. Poetja shndërron në art dhe i jep një impuls delikat e ndricues vargut me imtësira psiko-analitike e figura të goditura artistike e metaforike, mes kontrasteve të jetës e artit, me imazhin e përjetimeve të bukura, të dhimbëshme e të hidhura të jetës, marrëdhëniet në kohë që ka pasur me TË (birin), sikundër i ka ndjerë dhe përjetuar, mes dhimbjes, mungesës, mallit e dashurisë. Me stilin e saj aforistik, poetja legjitimon melankolinë dhe trishtimin, ajo përpiqet të zbulojë kuptimin e bërthamës së vdekjes, nën veladonin e zi të lirisë pakufi që ajo (vdekja) ka: “Kush je ti që frikën ngjall, / zarin hedh, e mortin sjell, kush je ti që do të zgjedhësh, /kë të marrësh, kë të lesh?”

Nën lëkurën poetike, Ermira është në kërkim të normalitetit brënda shpirtit dhe ekzistencës njerëzore, ajo kërkon të dijë së çfarë fshihet përtej ndjeshmërisë dhe tejdukshmërisë, sekreteve të jetës, dhe përpiqet të zbulojë thelbin e jetuar të një jete, bërthamën e kuptimit mes jetës e vdekjes; “Në çfarë qerthulli legjendash, /vjen ti prej t’përtejmes flakë?/Përse hyn n’ koruben time,/shpirt merr, të hapësh plagë?”.

Poetja e koncepton botën e vet me forcën e vargut, me forcën e realitetit të përvojave jetësore, të ideve dhe lidhjes dialektike mes njeriut e natyrës, shpirtërores e psikikes, evoluon shpirtin lirik nga më e thjeshta deri te më naivja, aty ku forca e dashurisë me butësinë dhe brishtësinë e dhimbjes, mallit dhe trishtimit funksionojnë paralelisht në varësi të përjetimit të një zemre humane. Andaj poetja mbart dashurinë edhe në mungesë të njerëzve të dashur, ajo vazhdon të jetojë, ëndërrojë, e të shkruajë; “Kur në ëndërr më vjen natës,/mes simbolesh të lexoj,/merrmë mua, jo filizin,/zemrën mos ma përvëlo.”, -poetja transmeton ndjeshëm dhe me mjeshtëri artistike e filozofike kombinon monologun e brendshëm të përjetimeve, kujtimeve konkrete dhe origjinale, me specifikën dhe historinë e tyre, analogon ndjenjën e shpirtit me metafora thellësisht njerëzore dhe krijon diçka madhështore, private, intime , –Profecinë;“Vitet ikin, thinjat shtohen,/plagët mblidhen gjoksit grusht,/drithërimë në ditë Korriku, /njohu ëndërr-profecinë/,-duke e kryqëzuar me lindjen e një dashurie tjetër–bijës së saj, -“Mrekullia” e ekzistencës njerëzore dhe hyjnore, të cilës poetja i jep një dimension metaforik, emocional, original, hyjnor dhe njerëzor të fuqishëm në vargje;

“Me hire hyjnore,/u faneps pranë shtratit,/ gjatë një dremke vere,/në të rënë të diellit,/si një nimfë u shfaq,/me fustan të bardhë,/flokët valë-valë,/mbi të vyerën Hënë.”

Një poezi që vjen si “sonetë” është edhe poezia “Të pish me Charles Bukowskin”, porse shquhet për lirizmin e hollë dhe depërtues në marrëdhëniet njerëzore në aleancë me imagjinatën, dëshirën dhe “flirtin poetik” me Bukowskin, poezi që mishëron vëmendjen dhe ndjeshmërinë e veçantë poetike. Poetja Ermira guxon të drejtojë vetveten drejt tejdukshmërisë së një gruaje që e pasuron atë me imagjinatë, poetes i pëlqen të “flirtojë” me metaforat duke iu referuar dominimit të ekzistencës njerëzore. E lexova poezinë disa herë, poetja e ndërton poezinë që në vargjet e para; nis e bisedon me poetin e madh e të admiruar, njëmendëson si në jetën reale; “Ai më përshëndet./ Jam e vetmja spektatore në sallë.” -dhe ajo vazhdon të zhvillojë ndjeshmërinë e saj me përfytyrimin e ngjeshur të shtatit heroik të poetit; “Koka e tij, me venat e fryra,/që shquhen në tëmtha,/ peshon shumë,/ rënduar nga vargjet/ që herë këndojnë, herë qeshin e përleshen.”, -dhe me tej forcën shpirtërore dhe kuptimin rrënjësor të fabulës së poezisë, shprehje lirike që qëndron e fortë, goditëse dhe delikate, e ekzaltur dhe tejet e sinqertë në ndjenjat e saj, që e frymëzojnë poeten Ermira:

“Ai pi birrë me heshtjen, /Unë pi verë me prezencën e heshtur,/dhe shëtis mendjes të gjej shtegun,/për të thyer perden e akullt mes nesh:”Ç’shije ka birra juaj, Charles?” Vargjet depërtojnë në thelbin e integritetit të Bukowskit dhe të Ermirës, si qënie të forta njerëzore, që thithin ajër nga muza e njëri-tjetrit, “pijnë birrë dhe flirtojnë” nën përfytyrimin aluziv të vargjeve; ” Ç’shije ka birra juaj, Charles?”/“Të dëshpëruar,/nga debati presidencial natën e shkuar.”/”Po vera jote, Vogëlsi?”/”Të thartë,/prej rrushit të prushëzuar në Kaliforni”- vargje bisedë- porse janë vargjet më prekëse që ka përdorur Ermira, jo thjesht përsa u përket vuajtjeve të personazheve dhe forcës morale dhe personalitetit të tyre, personazhe që vijnë nga kënde të ndryshme të shoqërisë, porse i japin zë një segmenti të shoqërisë me shpirtin artistik dhe njerëzor, respektin për veten dhe të mbijetuarin; “ofroj pjesën time të shpirtit që larg,/për të mos i bërë gjërat shtrëmbër.”/

Lirizmi i hollë i Ermirës është hulumtimi i parreshtur i dualitetit dhe polaritetit të jetës mes vuajtjeve dhe tensioneve destruktive krijuese që ekzistojnë në kujtesën e njerëzimit mes reales, psikikes dhe mitikes, andaj edhe poetja përcjell trishtimin dhe dobësinë e verdiktit në vazhdimësinë e njerëzores bashkë me kujtesën, -Ermira kujton, këshillon dhe vargëzon; “të bëni një tjetër Hiroshima, / apo të ndodhë një tjetër Pearl Harbor”.

Stili dhe forca poetike e Ermirës qëndrojnë mjaft të thella nën efektet e muzës poetike ndaj Bukowskit, dhe kështu poezia mbetet e pandikuar nga faktorët e jashtëm. Poetja duke përdorur fjalë gjallërisht ndjellëse në bisedë me plot imazhe në vargëzim, ka përkshkruar botën në të kaluarën që mbetet e paprekur nga forcat që e tërheqin në të tashmen, poetja mbetet një grua e lirë me shpirt të lirë dhe pa paragjykime, kompleksiteti bëhet i thjeshtë.

Në këtë vëllim me poezi, Ermira Mitre Kokomani i prezantohet audiencës së lexuesit edhe me vargjet lirike të Haiku-t, përvojë krijuese me konvencione të goditura artistike, filozofike, muzikalitet të ndjeshëm, ëmbëlsi, butësi, feminilitet, esklamacione poetike me tre vargje –fraza post-strukturaliste të paktit të shpirtit tradicional, intim dhe klasik i ndjenjave dhe dashurisë njerëzore;

“Syrit të sorkadhes një lot regëtin, /në heshtje qajnë të bukurat sorkadhe,/lotët ia mbledh në gjirin e pafajshëm!”

Në poezitë e stilit të Haiku-t të poetes Ermira Mitre Kokomani shprehet dyvalenca e ekzistences njerëzore me saktësi lirike, sinqeritet e çiltërsi të ndjenjës; “QERPIKËT/E lagu rërën djersa e këmbëve të tua,/nuk ranë mbi të tjera pika, /harkuar qerpikët i bënë prita”.,-përzgjedhja e termave; “ qerpikët, lagu, pika, këmbëve, prita, etc,”-të cilat nënkuptojnë “dashuri, dhimbje, melankoli”, këndvështrime lirike origjinale e të arrira me epitete, që demonstrojnë dualitetin e grintës poetike të imagjinatës e shpirtërores përmes magjisë së artit të Haiku-t.

Vëllimi me poezi i titulluar “LOTUS”, i poetes, esseistes dhe përkthyeses, Ermira Mitre Kokomani, është një përvojë mbresëlënëse dhe mbetet tejet e veçantë, sepse mozaiku i fabulave të poezive shprehur në pak fjalë, thotë më tepër sesa proza, eksperiencë krijuese më e thjeshtë dhe më efektive për të shprehur idetë dhe mendimet, muzën artistike e filozofike të mallit, dhimbjes, shpresës, dhe dashurisë njerëzore. Poezia e Ermirës është një poezi që bën radiografinë e shpirtit të bukur, human e të ndjeshëm të poetes me ngrohtësinë, butësinë, mirëkuptimin, mirësinë, dhe respektin për dinjitetin dhe botën njerëzore. Poezia e saj forcon interesin tonë për ekzistencën njerëzore, intensifikon aspiratën drejt së mirës dhe së bukurës, zbulon vuajtjet dhe të fshehtat e shpirtit, në gjithçka që na rrethon, duke na ndihmuar t’i shohim gjërat më thelbësore të jetës me maturi, dashuri dhe urtësi shpirtërore.

Raimonda MOISIU

Author/Freelancer

Jacksonville Florida SHBA