Sport Kamarieri që u kthye në mbretin e merkatos: Si Mino Raiola ndërtoi...

Kamarieri që u kthye në mbretin e merkatos: Si Mino Raiola ndërtoi një perandori

Lajmi i ndarjes nga jeta të Mino Raiolës, ka tronditur botën e futbollit. Një nga agjentët më të rëndësishëm të historisë së futbollit, ndërroi jetë në moshën 54-vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Italiani nga Salerno e mbante të fshehur sëmundjen në mushkëri, teksa shëndeti i tij nuk u përmirësua as pas ndërhyrjes kirurgjikale që kreu kohë më parë.

Mino Raiola ishte agjenti i emrave si Zlatan Ibrahimovic, Paul Pogba, Erling Haaland, Gigio Donnarumma, Matthijs De Ligt, Mario Balotelli, sa për të përmendur disa.

Nga kamarier te lokali i të atit në Holandë, aty ku u transferua me familjen kur ishte vetëm një vjeç, Raiola u kthye në mbretin e merkatos. Raiola u bë i famshëm për aftësinë e tij për të kryer operacione të rëndësishme merkatoje.

Mino ndërtoi një imazh origjinal, teksa i pëlqente të ishte polemik dhe plot deklarata që krijonin zhurmë, kundërshti apo urrejtje, si në rastin e largimit të Donnarummës nga Milani te PSG.

Klubet, historia apo tifozët nuk i interesonin fare, ndërsa xhepi i tij, por edhe i lojtarëve, po. Për të kishte rëndësi që lojtari që përfaqësonte të ndihej i lumtur dhe të fitonte kontrata sa më të majme.

Mino ia doli të krijojë një perandori të përbërë nga negociata faraonike për tregun e transferimeve. Vetëm në vitin 2019 arriti të fitonte 63 milionë euro nga komisionet e transferimeve.

Mino ishte vetëm 20 vjeç kur nisi profesionin e agjentit të futbollistëve. Raiola ishte ai që transferoi Pavel Nedved nga Lazio te Juventusi për shumën e 45 milionë eurove në vitin 2001.

Më pas ka marrë pjesë në të gjithë marrëveshjet dhe ndryshimet e skuadrave të Zlatan Ibrahimovic, me të cilin kishte një lidhje të veçantë. Pazar fantastik bëri në vitin 2009, kur Barcelona pagoi 60 milionë euro dhe kartonin e Samuel Eto’o për të siguruar Ibrën nga Interi.

Më pas rikthimi i Paul Pogba te Manchester United në vitin 2016. “Djajtë e Kuq” shpenzuan 105 milionë euro te Juventusi për të rikthyer mesfushorin francez në Angli.

Një tjetër operacion i rëndësishëm ishte edhe ai i kalimit të De Ligt nga Ajaxi te Juventusi në verën e vitit 2019, me bardhezinjtë italianë që paguan 85 milionë euro për kartonin e mbrojtësit holandez.

Këtë verë kishte plane për emra si Haaland apo Pogba…