Ministria e Jashtme e Rusisë akuzoi këtë të martë ministrin e Jashtëm izraelit për “deklarata antihistorike” pasi ai dënoi komentet e homologut të tij rus, Sergei Lavrov që tha se Hitleri kishte qenë pjesërisht hebre.
Lavrov shkaktoi një mori kritikash në Izrael me deklaratat se Hitleri “kishte pasur gjak hebre” dhe se “antisemitët më të zjarrtë janë zakonisht hebrenj”.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid, kërkoi falje publike nga ministri i jashtëm rus, duke thënë se Lavrov kishte bërë “një deklaratë të pafalshme dhe skandaloze, si dhe një gabim të tmerrshëm historik”. “Hebrenjtë nuk vranë veten në Holokaust”, tha ai.
Por të martën, ministria e Jashtme e Rusisë dyfishoi komentet e Lavrov, duke postuar në Twitter se Lapid kishte bërë “deklarata antihistorike… të cilat shpjegojnë kryesisht pse qeveria aktuale izraelite mbështet regjimin neo-nazist në Kiev”.
Rusia ka pretenduar vazhdimisht pa prova, se qeveria ukrainase drejtohet nga neo-nazistët si justifikim për pushtimin e saj. Lufta e fjalëve mes Izraelit dhe Rusisë rrezikon të bëhet kriza më e rëndë diplomatike mes dy vendeve në kohët e fundit.
Izraeli ka marrëdhënie miqësore me Ukrainën dhe Rusinë dhe ka udhëhequr përpjekjet e ndërmjetësimit ndërkombëtar për të ndalur luftën në Ukrainë.