Bota Papa zbulon kur mund të marrë fund lufta: Jam gati ta takoj...

Papa zbulon kur mund të marrë fund lufta: Jam gati ta takoj Putin në Moskë

Gjatë një interviste për mediat italiane, Papa Françesku ka zbuluar dhe një bisedë me kryeministrin hungarez Victor Orban, me të cilin ka diskutuar se kur mund të marrë fund lufta në Ukrainë.

Ati i Shenjtë tregon se Orban i ka thënë se presidenti rus ka planifikuar me detaje çdo gjë rreth operacionit special në Ukrainë, i cili mund të marrë fund më 9 maj në Ditën e Fitores.

“Orban, kur e takova, më tha se rusët kanë një plan, se gjithçka do të përfundojë më 9 maj. Kjo shpjegon gjithashtu shpejtësinë e përshkallëzimit të luftimeve të këtyre ditëve. Sepse tani nuk është vetëm Donbasi, është Krimea, është Odesa, po i heq portin e Detit të Zi nga Ukraina, është gjithçka”, u shpreh Papa.

Gjithashtu, kreu i Vatikanit ka shprehur gatishmërinë e tij për të udhëtuar personalisht drejt Moskës, për t’u takuar me presidentin Putin për të diskutuar për përfundimin e luftës.

Gjatë një interviste për mediat italiane, Ati i Shenjtë shprehet se për momentin nuk mund të shkojë në Kiev, por do të tentojë një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, ndonëse dyshon se kjo gjë do të sillte ndonjë ndryshim të situatës aktuale.

“Për momentin nuk do të shkoj në Kiev. Unë dërgova kardinalët Michael Czerny dhe Konrad Krajewski, të cilët shkuan atje për herë të katërt. Por ndjej se nuk duhet të shkoj. Së pari duhet të shkoj në Moskë, të takoj Putinin. Por edhe unë jam prift, çfarë të bëj? Unë bëj atë që mundem”, tha Papa Françesku.

Më tej, kreu i Vatikanit shton, “ditën e parë të luftës e mora presidentin ukrainas Zelensky në telefon, por Putin nuk e telefonova. Kisha folur me të në dhjetor për ditëlindjen time, por këtë herë jo, nuk kam telefonuar. Doja të bëja një gjest të qartë që ta shihte e gjithë bota dhe prandaj shkova te ambasadori rus. Më pas, i kërkova kardinalit Parolin, pas njëzet ditë lufte, t’i dërgonte Putinit mesazhin se isha i gatshëm të shkoja në Moskë. Ne ende nuk kemi marrë një përgjigje dhe vazhdojmë të këmbëngulim, edhe nëse kam frikë se Putini nuk mund dhe nuk do ta bëjë këtë takim tani”.