Kulturë Albanalogu Palnikaj: Ja cilat janë kanunet më të famshme në Shqipëri

Albanalogu Palnikaj: Ja cilat janë kanunet më të famshme në Shqipëri

Palnikaj: Kanuni i Lekë Dukagjinit na prezanton kudo si shqiptarë!

Në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila ishte i ftuar albanalogu Mark Palnikaj për të folur lidhur me Kanunet që ekzistojnë në vendin tonë dhe si e kanë rregulluar ato jetën edhe në momente kur shteti nuk ka qenë ekzistent.

Ai foli për rëndësinë që Kanuni i Lekë Dukagjinit kishte për popullin tonë ku u shpreh se na jepte një sens identiteti. Albanologu tha se Kanuni ishte përshtatur me kohën dhe ishte një ekuivalent i mirë i Kushtetutave më të njohura si ajo e amerikës apo evropiane. A theksoi se Kanuni i Lekë Dukagjinit është përkthyer në 8 gjuhë të botës.

“Kur turqit bënë rinovimin e legjislacionit të tyre krahas xhibalit, dhanë urdhër që të zbatohet ky ligj i ri. Kur erdhën në Shkodër, në malësi nuk të dëgjojnë sepse kanë një Kanun të tyre dhe me të kishin zgjidhur gjithçka. Shumë gjëra në Kanun janë ndryshuar për t’u përshatur me kohën. Kanuni i Lekë Dukagjinit është i pari pas Kanunit të Shkodrës, ligj i kodifikuar puro shqiptar. Kjo na bën nder sepse na prezanton anembanë botës si shqiptarë edhe pse jemi një vend i vogël. Nenet që janë aty përputhen me Kushtetutën evropiane dhe amerikane. Ka vlera të mëdha dhe ndaj është përkthyer në 8 gjuhë të botës. Kanuni ka evoluar.”, u shpreh albanologu.

“Ja cilat janë kanunet më të famshme në Shqipëri!”

Albanologu përmendi disa nga Kanunet që vazhdojnë ekzistojnë në vendin tonë dhe si ka ndikuar në shoqëri në të gjitha sferat e jetës për ta rregulluar atë.

“Kanë ngelur Kanuni i Lumës, Kanuni i Dibrës, Kanuni i Skënderbeut, Kanuni i Bemës dhe ai i Lekë Dukagjinit. Kanuni i Lekë Dukagjinit është mbledhur në Gomsiqe dhe është një kryevepër për kombin shqiptar qe duhet t’i jemi mirënjohës në jetë të jetëve sepse na prezanton në gjithë botën si njerëz me kulturë. Por problem është që shtrirjen e ka pasur të vogël. Ky Kanun ka prekur të gjitha sferat e jetës: ekonominë, pronën, familjen kishën etj. Ka qenë dhe kod penal dhe kod civil. Ka vepruar në një shoqëri pa shtet dhe megjithatë ka funksionuar më së miri”, u shpreh Palnikaj.