Politika Edi Paloka zgjidhet kryetari i Këshillit Kombëtar të PD

Edi Paloka zgjidhet kryetari i Këshillit Kombëtar të PD

Ashtu siç parashikohej, Edi Paloka është kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Edi Paloka mori 132 vota, ndërsa Eleina Qirici mori 79 vota. Sakaq në total morën pjesë 211 votues.

Edi Paloka ka qenë me herët kreu i Këshillit Kombëtar deri në momentin kur u shkarkua nga Lulzim Basha në kohën kur filloi përplasja me Sali Berishën, ndërsa Eleina Qiriçi ka qenë deputete e PD-së në Qarkun e Korçës gjatë legjislaturës 2013-2017.

Më herët, anëtarët e Këshillit Kombëtar miratuan në unanimitet rezolutën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, duke mandatuar Komisionin e Rithemelimit për caktimin e përfaqësuesve për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera politike.

Oerd Bylykbashi theksoi se PD nuk do të bëhet pjesë e farsës së Edi Ramës, por nëse do të krijohen kushtet për konsensus, përfaqësuesit e PD dhe partitë aleate do punojnë për gjetjen e kandidaturave të përbashkëta.

“Çdo alternativë që mundëson zgjedhjen e Presidentit me votat e PS, apo konsensus politik të vërtetë, do të refuzohet me votë në Kuvend. Grupi Parlamentar i PD, siguron zbatimin e qëndrimit politik të PD, të përcaktuar në këtë rezulotë. Çdo qëndrim që bie ndesh me këtë rezolutë detyruese dhe tagrat përfaqësuese politike të rrjedhura nga vendimet e organeve përfaqësuese të PD, nuk përfaqësojnë PD-në në procesin e zgjedhjes së Presidentit”, thuhet në rezolutën e PD.