Kryesore “Durimi ynë po soset”, Rama sulmon SPAK-un: Po përdorni vetëm një lloj...

“Durimi ynë po soset”, Rama sulmon SPAK-un: Po përdorni vetëm një lloj grepi për peshq

Kryeministrit Edi Rama po i humbet durimi me hetimet e SPAK.

Në Asamblenë e PS, kreu i qeverisë i ka bërë thirrje SPAK-ut që të veprojë dhe të hetojë simbolet e korrupsionit 30-vjeçar në Shqipëri, por edhe ata gjykatës e prokurorë që janë përjashtuar nga Vettingu si të korruptuar.

Rama se SPAK po heton vetëm politikanë, zyrtarë e ish-zyrtarë nga kampi i majtë, dhe këtë e konsideron tallje, teksa përsëriti disa herë se “po i soset durimi me SPAK-un”.

“Dhe me një lehtësi të hatashme SPAK shkon e bën sahatin zviceran me Ardian Dvoranin që sot e gjithë ditën jeton në një apartament të para viteve ‘90. Ndërkohë që ata që kanë të rreshtuara vilat, njërën ma fali vjehrra, njërën ma fali baxhanaku, njërën ma fali babai i gruas, këta janë të gjithë sot e gjithë ditën duke pritur finale e Champions League për të shkuar në Paris siç kanë shkuar në të kaluarën dhe siç ju kanë dalë rrugëve se kush ja u ka paguar. Për të mos folur për këtë non gratën e madhe që e kemi në mes të sheshit bashkë me shpurën e tij që na treguakan se nuk ulen të negociojnë me ne për Presidentin po nuk ja u dhamë atyre Presidencën. Çështja e non gratës së madhe nuk është një problem i Amerikës, është një problem i Shqipërisë, është një hall i popullit shqiptar.

Gjykatësit dhe prokurorët që e bënë gjak dhe baltë sistemin e drejtësisë në 30 vjet nuk shkojnë përpara drejtësisë, ky s’është problem i SHBA, ky është problem i madh i Shqipërisë të së nesërmes. Sapo të ulemi në tryezën e negociatave kjo do të jetë kënga e re që do të fillojë.

Ja përsëris SPAK-ut, keni për të hetuar për këdoqoftë që i përket kësaj bashkësie politike bujrum hetoni. Tani nuk mban më përballë kësaj tallje të madhe. Meqë këtu partnerët tanë na futën peshkun si simbol duke folur për peshq që do kapen, është realisht tallje e madhe që SPAK-u deri tani përdor vetëm një lloj grepi dhe vetëm për një lloj peshku, madje pa e pasur dhe problem fare që të gjuajë dhe cironka me dinamit.

Durimi ynë po soset. I juaji po njëherë. Kjo do të thotë që SPAK duhet të kujtohen që ne nuk e kemi humbur gojën, e kemi në vend dhe fakti që s’kemi folur por përkundrazi e kemi përdorur gjuhën për të mbështetur çdo veprim, këtë turpin tjetër të Ardian Dvoranit nuk e kemi thënë ndonjëherë. Por ka dhe turpe të tjera të mëdha shumë. Kështu që thirrja ime në emër të të gjithëve ju dhe kësaj partie është zonja dhe zotërinj të SPAK-ut zgjohuni dhe dilini në mbrojtje Shqipërisë”, tha Kryeministri Edi Rama.