Kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë se nga Sali Berisha dhe grupi që ai përfaqëson nuk do të negociojë dhe nuk do të njohë asnjë kërkesë në lidhje me negociatat për Presidentin e Republikës.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS, Rama tha se opozita është e mirëpritur në këtë proces, por ka përjashtuar kategorikisht Sali Berishën.
Sipas Ramës, aktorët e tjerë politikë mund të japin propozimet e tyre të cilat do të merren në konsideratë, e madje do të votohen edhe nga socialistët, nëse përmbushin kriteret për një President të pranueshëm.
“Ne nuk e kemi ende një emër se po ta kishim do ta kishim bërë me dije. Kam dëgjuar që thonë jo do bëjmë një letër, jo do vendosim kritere. Unë di që ne kemi qenë në dy proces kur ishim në opozitë. Një proces kur ata nuk i kishin votat dhe i bënë në fund dhe një proces kur ata i kishin votat, proces që nxorri në fund një president, presidentin më partiak Bujar Nishanin.
Dhe ne nuk ishim naivë që të mendonim se duke shkuar ne atje në tryezë do merrnim presidentin, por ne bëmë detyrën tonë. Nuk vumë as nga këto barrierat jo të bëjmë letrat, jo të përcaktojmë kritere, se në fund të ditës do dalësh te emri. Unë kriterin e parë për shembull do vija të ketë lindur në Hënë, të jetë rritur në Hënë dhe të vijë me dëshmi të pastër penaliteti nga Hëna.
Thirrja ime është të mos humbasim kohë me këtë, ne jemi në këtë proces jo për të larë gojën. As nuk jemi në këtë proces për të bërë sikur kërkojmë konsensus. Ne nuk na duhet konsensus, na duhet një president i cili të nderojë Shqipërinë, të mos na turpërojë kur del në televizor. Nuk jemi në kërkim të konsensusit, jemi në kërkim të një Presidenti apo Presidenteje që të plotësojë disa kushte. Figurat politike të PS që për ne do ishin më të mirat e mundshme, nuk janë pjesë e kësaj.
Nëse ata do sjellin një propozim bindës, ne menjëherë do ta pranojmë. Por nuk mund të jetë figurë politike që vjen nga rrugët e qametit. Dhe paralelisht duhet të zgjedhim Avokatin e Popullit, dhe i takon opozitës të na sjellin propozime. Po kur them opozitës të jem shumë i qartë, e përjashtoj kategorikisht si të klasifikueshëm brenda kornizës së opozitës non gratën e madhe dhe shpurën e tij.
Partia Socialiste nuk do njohë në asnjë rast asnjë vendim dhe asnjë kërkesë që buron nga ai drejtim, ai është drejtim me të cilin politika e PS dhe politika e Shqipërisë nuk duhet të ketë asnjë lidhje, por ne përsa na takon as nuk kemi dhe as nuk do të kemi asnjë lidhje.
Të hidhen përpjetë, ne nuk njohim asgjë që do burojë nga asnjë lloj pretendimi, vendimmarrje, kërkese e atij burimi të së keqes së madhe të vendit tonë. Jo për Presidentin, por as për rojen e cilësdo godinë në këtë vend. Po as dhe për hu gardhi për ta vënë në fund të Lanës. Nuk marrim opinion nga ai burim”, deklaroi Rama.