Policia e Tiranës, ka dhënë një informacion shtesë për ngjarjen e ndodhur këtë të diel, ku Ajas Sulejmani aksidentoi një çift bashkëshortësh dhe fëmijën e tyre të vogël, ka dhënë detaje të tjera për 39-vjeçarin.
Sipas policisë, “drejtuesi i automjetit me targa të huaja, Ajas Sulejmani, i dyshuar si autori që shkaktoi aksidentin me këmbësorët, në Rrugën e Kavajës, është ndëshkuar 8 herë nga efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit”.
Gjithashtu, thotë policia, ky shtetas është ndëshkuar disa herë, me bllokues gomash, për shkak të parkimeve në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në rrugët e kryeqytetit.
“Po ky shtetas është shoqëruar tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”.
Aksidenti i rëndë ndodhi gjatë mesditës në Rrugën e Kavajës. Çifti i bashkëshortëve mbetën të plagosur rëndë dhe ndodhen në spital. Menjëherë pas ngjarjes Sulejmani u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas në një spital privat.