Gjykata e Kurbinit ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg 40 ditë për drejtorin e Ujësjellësit të Kurbinit, Alfred Prodani, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kërkohet nga autoritetet spanjolle.
Prodani u arrestua pak ditë më parë pas kërkesës së Spanjës, që e kërkon për grabitje me dhunë të banesave.
Alfred Prodani ishte në kërkim nga autoritetet spanjolle që prej vitit 2013, ndërsa në vendin tonë ai ishte drejtor i Ujësjellësit të Kurbinit.
Urdhër-arresti ndërkombëtar për vjedhjen e dhjetëra vilave në Spanjë, nuk e pengoi 41-vjeçarin të ulej në zyrat shtetërore dhe të mbante prej vitesh detyrën e drejtorit.
Një nga vilat që dyshohet se Prodani bashkë me persona të tjerë të kenë grabitur është ajo e yllit të Real Madrid, sulmuesit Karim Benzema.