Finlanda do të kërkojë zyrtarisht hyrjen e saj në NATO. Kryeministrja Sanna Marin dhe presidenti Sauli Niinisto kanë lëshuar sot një deklaratë të përbashkët për vebdimin e marrë, një vendim që ishte prej kohësh në ajër, por që konflikti në Ukrainë e përshpejto.
Bëhet fjalë për një kthesë historike, sepse në këtë mënyrë Helsinki thyen neutralitetin që e kishte karakterizuar politikën e saj të jashtme duke nisur që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe në këtë mënyrë Nato dhe Rusia do të ndajnë për herë një kufi direkt mjaft të gjerë.
Presidenti dhe kryeministrja finlandeze u shprehën sot në favor të anëtarësimit në NATO dhe “pa vonesa” duke specifikuar se vendimi i vendit nordik do t’i njoftohet organizatës ditën e diel.
“Gjatë kësaj pranvere, është zhvilluar një diskutim i rëndësishëm për anëtarësimin e mundshëm të Finlandës në NATO. Është dashur kohë që parlamenti dhe e gjithë shoqëria të vendosin qëndrimet e tyre për këtë çështje. Është dashur kohë për kontakte të ngushta ndërkombëtare me NATO-n dhe vendet anëtare të saj, si dhe me Suedinë. Anëtarësimi në NATO do të forconte sigurinë e Finlandës. Si një anëtare e NATO-s, Finlanda do të forconte të gjithë aleancën e mbrojtjes. Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesë. Shpresojmë që hapat kombëtarë që duhen ende për të marrë këtë vendim do të ndërmerren me shpejtësi brenda ditëve në vijim“, thanë Niinisto dhe Marin në një deklaratë të përbashkët.
Ka pasur disa indikacione se Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1 300 kilometrash me Rusinë, do të aplikonte për anëtarësim në NATO në dritën e pushtimit rus të Ukrainës.
Ka pasur një ndryshim drastik në opinionin publik drejt anëtarësimit në NATO që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Në një sondazh të fundit, 76% e të anketuarve në Finlandë ishin në favor të një lëvizjeje të tillë.
Disa parti politike kanë sinjalizuar gjithashtu mbështetjen e tyre.
Vende të tjera nordike Danimarka, Norvegjia dhe Islanda janë anëtare të NATO-s që nga themelimi i saj, në 1949.
Suedia pritet të shpallë një vendim në ditët në vijim.