Lejimi i xhirimit të këtij videoklipi të këngëtarëve Elgit Doda dhe Romeo Veshaj në ambientet e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar ka ngjallur reagime të forta.
Pas Kishës Ortodokse në Korçë ka ardhur dhe reagimi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila ngre shqetësimin për përdhosjen e përsëritur të objekteve kishtare.
Në një deklaratë për mediat, Kisha Ortodokse thotë se ikonat janë objekte liturgjike të shenjta, të cilave besimtarët orthodhoksë iu afrohen me nderim dhe respekt të veçantë.
Sipas saj është e papranueshme dhe e dhimbshme, që ato të trajtohen në mënyrë të papërgjegjshme nga ato institucione, të cilat pretendohet se duhet t’i ruajnë dhe t’i mbrojnë.
Ndaj ajo kërkon që këto objekte t’i kthehen kishës.
Deklarata:
Shprehim shqetësimin, keqardhjen dhe indinjatën tonë për përdhosjen e radhës ndaj objekteve liturgjike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, një nga trashëgimitë më të mëdha të kulturës së popullit tonë.
Videoklipi muzikor “Picasso” xhiruar në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë, para ikonostasit të Rehovës (që padrejtësisht nuk i është kthyer akoma Kishës Orthodhokse, nën pretekstin e “ruajtjes” së kësaj trashëgimie të çmuar”), është një shenjë e dukshme mosrespektimi ndaj këtyre vlerave shpirtërore. Ky mjedis është krejt i papërshtatshëm, për vlerat që pasqyron, për promovimin e një lloji të tillë muzike.
Aty, në respekt të traditës dhe kulturës që i ka krijuar këto objekte të shenjta, do përshtateshin tingujt e Muzikës Bizantine dhe jo tinguj që i fyejnë ato dhe trashëgiminë kulturore të vendit tonë.
Ikonat janë objekte liturgjike të shenjta, të cilave besimtarët orthodhoksë iu afrohen me nderim dhe respekt të veçantë. Prandaj, është e papranueshme dhe e dhimbshme, që ato të trajtohen në mënyrë të papërgjegjshme nga ato institucione, të cilat pretendohet se duhet t’i ruajnë dhe t’i mbrojnë. Për këtë arsye kërkojmë përsëri, që ato t’i kthehen Kishës Orthodhokse (në bazë të Ligjit 10057, neni 22/2, datë 22.1.2009, “Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”), e cila jo vetëm i ka krijuar, por edhe i ka ruajtur me mund të madh ndër shekuj. Ikonat ruhen dhe mbrohen më mirë në ambientet kishtare, sepse janë objekte të shenjta liturgjike dhe pjesë e dukshme e shprehjes së Besimit orthodhoks.
Lutemi dhe shpresojmë që Ministria e Kulturës të tregohet e kujdesshme dhe e ndjeshme ndaj objekteve kishtare dhe të respektojë ndjenjat fetare të Komunitetit Orthodhoks, duke mos lejuar përdhosjen e tyre.