Çfarë kërkon vërtet Putin? Kur do të përfundojë lufta në Ukrainë? Këndvështrimi i disa ekspertëve, në disa raste edhe ish-bashkëpunëtorë të tij, të gjitha hipotezat dhe objektivat e konfliktit
Nga Marco Imarisio, i dërguari në Moskë i Corriere della Serra
Askush nuk i hyn më në kokë Vladimir Putinit pasi, edhe para 24 shkurtit, analizat që u përpoqën të deshifronin strategjinë e tij nuk jepnin gjithmonë rezultate të njëjta.
Por, pas dështimit të fazës së parë të Operacionit Special Ushtarak, sapo është kuptuar se ai nuk kishte një plan alternativ. Të kuptuarit se çfarë mendon dhe dëshiron realisht presidenti rus është bërë edhe më i vështirë.
Pra, le ta provojmë me ndihmën e disa ekspertëve, në disa raste ish-bashkëpunëtorëve të tij, të cilët shqyrtojnë hipotezat kryesore.
Analiza
Le të fillojmë me politologun Stanislav Belkovskij, themelues dhe drejtor i Institutit të Strategjisë Kombëtare.
”Për të paktën një herë jam dakord me shërbimin sekret amerikan. Putini po përgatitet për një konflikt afatgjatë, ndoshta me një intensitet më të ulët se ai aktual. Mund të shpallte edhe gjendje lufte, por sigurisht jo mobilizim të përgjithshëm. Ndoshta ai do të përdorë të ashtuquajturat rezerva luftarake të vendit, 100 000 burra të tjerë për t’i përdorur në kalimin nga sulmi në mbrojtje në korridorin tokësor pranë Krimesë”, thotë Belkovskij.
Për më tepër, një Rusi zyrtarisht në luftë do të ishte një mënyrë radikale për të larguar vëmendjen nga problemet gjithnjë e më serioze ekonomike.
Eksperti ushtarak
Yurij Fyodorov, një nga ekspertët e pakët të pavarur ushtarakë, vendos disa interesa në kohëzgjatjen e konfliktit.
”Presidenti është i vetëdijshëm për faktin se Rusia nuk është në gjendje të luftojë për një kohë të gjatë, sepse burimet njerëzore dhe forca e jetesës po mbarojnë. Pra, muaj, jo vite. Por, ai nuk do të heqë dorë nga plani i tij pushtues duke e vazhduar në faza. Fillimisht mbërritja në kufijtë administrativë të Donetskut dhe Luganskut, më pas korridori tokësor me Krimenë, pastaj deri në Transnistria. Zgjidhja diplomatike do të jetë e mundur vetëm pas arritjes së këtyre objektivave. Në këtë skenar, variabli i pavarur përfaqësohet nga një kundërofensivë e mundshme ukrainase, pasi ushtria në Kiev të jetë gati të përdorë armët e rënda shumë efikase të furnizuara kryesisht nga SHBA-ja”, thekson ai.
“Vendos ai”
Gleb Pavlovski, i cili ishte këshilltar i Putinit në Kremlin dhe strateg politik gjatë dy mandateve të tij të para si president përpara se të rrëzohej në vitin 2011, është i njohur me proceset e të menduarit të presidentit.
”Është ai që vendos, pikë. Ai vendosi pushtimin kundër këshillës së rrethit të tij të brendshëm, i cili hezitonte, dhe ishte si një goditje me thikë në shpinë të sistemit mbi të cilin mbështetet pushteti i tij. Tani, për herë të parë, ai duhet të përballet me një gabim të rëndë. Ndodhet në një rrugë qorre, të cilën do ta ndjekë deri në fund. Nuk ka rrugë tjetër. Perëndimi e ka gabim duke shpresuar për efektin parandalues të sanksioneve. Kur ai pretendon se dëshiron të shtypë Zelenskyn, siç raportoi në bisedën e tij me Roman Abramoviçin, ai po thotë të vërtetën”, thekson Pavlovski.
Pikat për të cilat Putini nuk bën kompromis
Sergei Markov, këshilltar i politikës së jashtme të Kremlinit nga viti 2011 deri në 2018, është gjithashtu dakord për pikën e fundit.
”Për plaçkën territoriale do të ketë një prirje më të madhe për të negociuar. Por që në fillim ishte e qartë se qëllimi përfundimtar i Putinit është ndryshimi i regjimit në Kiev. Dhe ai nuk bën kompromis për këtë. Ai dëshiron të imponojë një narrativë të re brenda Ukrainës”, thotë Markov.
Të gjithë ekspertët, nga ana tjetër, thonë se janë të sigurt për atë që Putini nuk do të bëjë.
Asnjë luftë totale.
“Për 20 vjet, shoqëria ruse është qeverisur me metoda të çmobilizimit duke nxitur në mënyrë efektive braktisjen e çdo interesi apo aspirate të përbashkët. Në këtë situatë, mobilizimi i përgjithshëm është e vetmja gjë që Putini e di se nuk mund ta përballojë. Frika më e madhe e Kremlinit është pikërisht ajo e një populli të mobilizuar. Sepse askush nuk mund ta imagjinojë se cila do të ishte përgjigjja e tij”, thekson Belkovski.