Sekretari amerikan i Mbrojtjes së SHBA, Lloyd Austin dhe homologu i tij rus, Sergei Shoygu, zhvilluan këtë të premte një bisedë telefonike, gjatë së cilës gjenerali Austin bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Kjo është telefonata e parë mes dy homologëve që nga nisja e luftës në Ukrainë.
Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se gjenerali Austin kishte theksuar rëndësinë e mbajtjes së komunikimit, pasi Moska ishte shfaqur e painteresuar për të folur me SHBA, gjatë përpjekjeve që kjo e fundit kishte bërë më herët.
Një zyrtar anonim amerikan tha se toni i telefonatës 1 orëshe ishte “profesional”, por nuk zgjidhi ndonjë çështje specifike dhe nuk çoi në ndryshime në politikën ruse.
Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi se kishte qenë pala amerikane ajo që e kishte bërë telefonatën dhe se palët kishin diskutuar “çështjet aktuale të sigurisë ndërkombëtare… duke përfshirë situatën në Ukrainë”.