Raundi i dytë për presidentin të zhvillohet ditën e hënë, më 23 maj në orën 18:00.
Kështu deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve.
Balla nënvizoi gjatë fjalës së tij se të drejtën grupit parlamentar të PS-së për të propozuar emra për president, nuk ia heq dot opozita dhe nuk mund të vendosë dot kushte.
“Jemi të gatshëm të ulemi kur të doni ju, çfarë propozimi të doni ju. Ne kemi vendosur vetëm një kusht, të jetë i kundërt me Ilir Metën. Këtë duam. Ju nuk mund t’i hiqni të drejtën mazhorancës që të propozojë emra”, tha Balla.
Më herët Enkelend Alibeaj deklaroi që të zgjedhin bashkërisht një president mbi palët, që nuk është as i PS as i PD.
Raundi i parë për presidentin dështoi për shkak të mungesës së një kandidature për postin e Kreut të Shtetit.
Për të zgjedhur presidentin e ri në tre raundet e para duhen së paku 84 vota, të cilat mazhoranca e Partisë Socialiste nuk i ka.
Pas raundit të tretë, mazhoranca mund ta zgjedhë vetë Kreun e ri të Shtetit, pasi i ka 71 votat e nevojshme.