Politika Presidenti ri, Alibeaj: U bëmë pjesë që mazhoranca mos ketë alibi ta...

Presidenti ri, Alibeaj: U bëmë pjesë që mazhoranca mos ketë alibi ta çojë në raundin e katërt

Në Konferencën e Kryetarëve, Enkelejd Alibeaj përsëriti edhe njëherë qëndrimin se presidenti i ri duhet të jetë konsensual dhe jo i njërës palë apo tjetrës.

Gjatë fjalës së tij, Alibeaj u shpreh se kreu i shtetit duhet të zgjidhet në 3 raundet e para që të ketë besueshmëri, ndërsa shtoi se opozita u bë pjesë e procesit që të mos krijuar alibi për palën tjetër që ta çojë procesin në raundin e katërt.

“Procesi duhet të ketë legjitimitet. Presidenti duhet të jetë i gjithë shqiptarëve, jo i njërës palë apo tjetrës. Qëndrimi ynë është publik. Jua kemi dhënë dhe në mënyrë të shkruar. Përmbajtja e dokumentit është bazuar në pak çështje, por të rëndësishme. Kushtetuta parashikon që në 3 raunde presidenti duhet të zgjidhet me 84 vota. Ne morëm pjesë në proces për të mos krijuar alibi që pjesa tjetër të shkojë në raundin e katërt dhe të thotë ata nuk erdhën. Pavarësisht ndryshimeve të 2008 thelbi mbetet, në tre raundet e para duhen 84 vota. Kjo është arsyeja e parë se përse është e nevojshme që presidenti të zgjidhet në këto tre raunde. Sot 95% të pushteteve i ka marrë njëri krah, një zhbalancim i rendit institucional. Kjo mazhorancë nuk e ka legjitimitetin real për të zgjedhur presidentin”, tha Alibeaj.