Pas konferencës ndërkombëtare “Drejt së Ardhmes: Qyteti im, Shtëpia ime” në Vlorë, kryeministrit Rama i është kërkuar nga gazetarët që të japë një prononcim në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
Kryeministri Rama nuk ka pranuar që të japë një përgjigje, ndërsa pyetur mbi deklaratat e Berishës një ditë më parë në Vlorë, është përgjigjur me “Ndjesë pastë“.
Pyetje: Ndryshe nga konferenca, diçka tjetër: Ne kemi 2 orë që ju presim, ju e dini shumë mirë…
Edi Rama: Urdhëro.
Pyetje: Zgjedhja e presidentit…
Edi Rama: Po çfarë presidenti tani, ne jemi në Vlorë.
Pyetje: Berisha nga Vlora tha se ai proces është karnaval.
Edi Rama: Kush? Kush? Kush është ky? Ndjesë pastë! Mirupafshim.
Ditën e djeshme në një prononcim për mediat pas vendosjes së kurorës në Monumentin e “Hasan Prishtinës” në Vlorë, Sali Berisha e quajti procesin e zgjedhjes së presidentit dhe negociatat me opozitën si një vazhdimësi të marrëveshjeve të dështuara nga viti 2017 e deri më sot të Lulzim Bashës.
“Një karnaval i vërtetë, një vazhdimësi e marrëveshjeve të dështuara nga viti 2017 e deri më sot e Lulzim Bashës dhe kjo që shihni nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i atij seriali, këtë herë edhe më tragjikomik dhe më i neveritshëm se çdo proces tjetër deri më tani”, u shpreh Berisha.