Ministrja e Kulturës Elva Margariti me homologen greke Lina Mendoni kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arkeologjisë dhe muzeologjisë.
Bashkëpunimi do të përqendrohet në hartimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta të gërmimit, restaurimit, konservimit dhe muzealizimit të zonave arkeologjike në vend.
“Një nga marrëveshjet e munguar prej shumë vitesh por që kemi kohë që punojmë. Kjo nuk do të ngeli thjeshtë si një marrëveshje por bashkë me ministren kemi diskutuar hapat që do ta bëjmë të mundur të ndodhë”, tha ministrja Margariti.
Në bashkëpunimin mes specialistëve shqiptarë dhe atyre grekë do të përfshihen edhe aktivitetet kërkimore dhe edukative, ku një pikë kyçe është ndarja e eksperiencave.
“Nënshkrimi i memorandumit për gërmimet arkeologjike dhe ruajtjen e muzeve na jep mundësinë që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë mbi këto fusha me interes të përbashkët. Na jep mundësinë gjithashtu që grupe shkencore nga dy vendet të punojnë së bashku në trashëgiminë kulturore”, u shpreh ministrja greke e Kulturës dhe Sportit Lina Mendoni
Ministrja e Kulturës dhe Sportit e Greqisë Lina Mendoni ndodhet në Shqipëri për çeljen e javëve kulturore greke, ku në vend do të performojnë artistë nga vendi fqinj.