Kryesore Kufiri detar me Greqinë, Shqipëria zgjedh kompaninë e Blair si “avokate” në...

Kufiri detar me Greqinë, Shqipëria zgjedh kompaninë e Blair si “avokate” në Hagë

Kryeministri Edi Rama duke folur me ish-kryeministrin Tony Blair, i cili aktualisht është këshilltar i tij

Shqipëria ka kontraktuar një kompani britanike për t’u përfaqësuar në Hagë përballë Greqisë lidhur me çështjen e kufirit detar. Lajmin e dha Artur Meçollari, ish-anëtar i grupit negociator për kufirin detar në emisionin ‘Sot’, në Euroneës Albania.

Ish-ushtaraku tregoi se kompania londineze ‘Omnia Strategy’ e kontraktuar nga Ministria e Jashtme në korrik të 2021, ka arritur në konkluzionin se Shqipëria rrezikon të humbasë vijën e drejtë bazë, që do të thotë sipërfaqe detare e humbur.

Kjo pasi, sipas tij Shqipëria nuk duhet të kishte shkuar pa kushte përballë Greqisë në një gjykatë ndërkombëtare.

“Çfarë do prodhohet pas kontratës përbëjnë sekret, pasi do të japin teknika dhe taktika që do të përdorim në Gjykatë. Edhe kjo kompani ka arritur në një konkluzion, që jemi nxituar që vendosëm të shkojmë në Hagë pa kushte. Duhet të kishin vendosur kushte. Duhet të çonim vetëm çështje që nuk i kishim zgjidhur”, tha Meçollari.

‘Omnia Strategy’ drejtohet nga Cherie Blair, bashkëshortja e ish-kryeministrit të Britanisë Tony Blair, aktualisht këshilltar pa pagesë i kryeministrit Edi Rama.

Cherie Blair gjatë një vizite në Tiranë

Kjo nuk është hera e parë që qeveria shqiptare lidh kontratë me këtë kompani, pasi kompania Omnia Strategy ishte avokate e Shqipërisë edhe për çështjen e arbitrazhit kundër Rapiscan.

Rreth dy vjet më parë, Shqipëria dhe Greqia vendosën t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufirit detar mes dy vendeve në bazë të ekspertizës dhe të të drejtës ndërkombëtare të detit.