Sport Francesco Totti falenderon Shqipërinë: Tirana është një qytet që na sjell fat

Francesco Totti falenderon Shqipërinë: Tirana është një qytet që na sjell fat

Nga emocionet e triumfit të Romes në Conference League, të vlerësimet për Kumbullën dhe batutat për Mourinho-n.

Legjenda e Romës, Francesco Totti falenderon Tiranën për mikpritjen dhe që sipas tij i solli fat verdhekuqve. Në një intervistë për A2 ai vlerëson edhe stadiumin, që e cilëson stadiumin e famshëm argjentinas  “Bombonera”.

Kur po përgatitej skena për trofeun, dukeshe i emocionuar…

Unë, ashtu si të gjithë romanistët ishim të emocionuar. Pas shumë vitesh që nuk fitonim një trofe ndërkombëtar, për ne ishte e veçantë të ishim pjesë e atij momenti. Për këtë arsye, emocionet ishin normale.

Ndoshta pakëz xhelozi për Pelegrinin që ngriti kupën?

Për mua, fjala xhelozi nuk ekziston. Jam shumë i kënaqur për Lorencon, për Romën, për tifozët. Të gjithë do të dëshironin ta ngrinin atë kupë. Edhe unë kam ngritur disa kupa. Ishte njësoj sikur po e ngrija unë trofeun.

Këtë triumf të parë ndërkombëtar të Romës, në Itali e lidhën me Francescon. Citimi i saktë ishte 14 vjet pasi Totti ngriti trofeun e fundit, Roma fiton në Tiranë në sytë e Tottit, sepse Totti është historia e Romës.

Le të themi që Totti e ka bërë historinë e Romës, me Romën. Bëra një zgjedhje jete, që mbajta vetëm një fanellë. Për mua fitorja më e rëndësishme ishte ajo. Trofetë, fitoret dhe gjithçka tjetër vinin më pas.

Ku do ta shohim Tottin duke festuar?

Nuk e di, vetëm nëse më lini të largohem. Ka kohë për të festuar, pasi në Romë festa nuk zgjat vetëm një ditë.

Deri ku mund të shkojë kjo skuadër e Romës?

Skuadra duhet përmirësuar vit pas viti. Duke patur një prej trajnerëve më të mirë në botë, ke mundësi të zgjedhësh lojtarët e duhur.

Do të dëshironte Totti të luante për Mourinho, apo Mourinho të kishte në skuadër Tottin?

Është e njëjta. Janë dy gjëra të ndryshme. Dy legjenda? Ai po, unë më pak. Por kësaj pyetje duhet t’i përgjigjet Jose.

Keni një skuadër me të rinj premtues, një prej tyre është Kumbulla. Sa premton Marashi?

Kumbulla është një lojtar i mirë, i cili i ka treguar vlerat. Ky futbollist mund të bëjë mirë te kjo skuadër e Romës. Jemi të lumtur që është pjesë e grupit. Edhe sepse djaloshi është shqiptar dhe cilësohet i Shqipërisë këtu.

Çfarë mund të na thoni për Shqipërinë dhe për stadiumin?

Shqipërisë i them faleminderit për mikpritjen. Tirana është një qytet që na sjell fat. Stadiumi ishte i mrekullueshëm, edhe pse pak i vogël. Me 10-15 mijë vende më tepër do të ishte perfekt. Ne në Romë themi që duket si “Bombonera”.