Aktualitet Polici bie në humnerë gjatë kontrolleve për kanabis, nxirret pas 12 orësh

Polici bie në humnerë gjatë kontrolleve për kanabis, nxirret pas 12 orësh

Një efektiv policie ka marrë lëndime të shumta në trup pasi ra në humnerë teksa vijonte punën për kontrollin e territorit në kuadër të goditjes së veprimtarive kriminale për kultivimin e kanabisit. Rrok Frroku, 54-vjeç, nënkomisar në Policinë e Shkodrës ra në një zonë malore mjaft të thepisur në fshatin Shosh të Dukagjinit.

Policia ka njoftuar se pas bashkëpunimit me disa grupe të RENEA-s dhe shërbimeve mjekësore, është bërë e mundur nxjerrja nga humnera e efektivit pas 12 orë përpjekjesh. Megjithatë ai është dërguar në një pikë ku mund të ulet helikopteri apo të bëhet tërheqja e tij me litarë për ta transportuar më pas drejt Tiranës ku të marrë ndihmë mjekësore.

Aktualisht ai po mbahet në mbikëqyrje nga ekipi i urgjencës mjekësore pasi policia thotë se nga pika fundore e rrugës që shkon automjeti deri në vendin ku aktualisht ndodhet punonjësi i Policisë i dëmtuar, është 6 orë me këmbë dhe një terren shumë i vështirë që e bën të pamundur transportimin me krahë të tij.