Politika Berisha: Humbjet e PD-së për shkak të udhëheqjes së dështuar

Berisha: Humbjet e PD-së për shkak të udhëheqjes së dështuar

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike është mbledhur ditën e sotme dhe në axhendën e rendit të ditës ka zgjedhjen e kryesisë së partisë. Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se ky moment është i veçantë dhe shënon përfundimin me sukses të një procesi unik.

“Partia Demokratike kaloi nga disfata në disfatë për shkak të udhëheqjes së saj problematike, dështake, për shkak të pazareve të udhëheqjes së saj dhe jo për shkak të anëtarëve”, tha Berisha gjatë fjalës së tij.

Ai solli në vëmendje një shprehje të Ronald Reagan gjatë fjalës së tij

“Problemi është qeveria. Ne nuk jemi qeveri, ne jemi opozitë. Problemi është udhëheqja dhe nuk e kam fjalën për atë që kaloi, por e kam fjalën për ne që jemi këtu,” – tha Berisha.

Sipas kreut të PD-së udhëheqja e opozitës ka si sëmundje pazaret me qeverinë për interesa personale që shkelin interesat e anëtarëve, ku Berisha theksoi se shembulli më tragjik është vetë PD-ja në vitet e shkuara.

Ndërkohë sëmundja tjetër, sipas kryedemokratit është “të kënaqurit se ke një mandat, një karrige apo një post”.

“Opozita profesioniste është opozitë që nuk duhet të ekzistojë, ndaj dhe për të mos qenë opozitë profesioniste ka vetëm një antidot dhe një antidot qëndron në pyetjen e thjeshtë që duhet t’i shtrojmë vetes të gjithë çdo mëngjes: çfarë do bëj unë kundër këtij regjimi?” – tha Berisha në fjalën e tij, ndërsa e krahasoi Shqipërinë sot me regjimin e Bjellorusisë.