Ish-kancelarja Angela Merkel mbrojti qëndrimet e saj ndaj Rusisë dhe Ukrainës gjatë 16 viteve si udhëheqëse e Gjermanisë.
Në komentet e para që nga largimi i detyrës gjashtë muaj më parë, Merkel tha se nuk kishte “asnjë justifikim” për sulmin “brutal” të Rusisë ndaj Ukrainës dhe se ishte “një gabim i madh nga ana e Moskës”.
“Ky është një sulm brutal, duke shpërfillur ligjin ndërkombëtar, për të cilin nuk ka asnjë justifikim”. Ajo që ndodhi, për mendimin tim, nuk është, vetëm e papranueshme, por një gabim i madh nga ana e Rusisë”, tha ajo.
Ajo tha se nuk kishte “asgjë për të kërkuar falje” për përgjigjen e saj ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia nga në vitin 2014, kur ajo mbështeti sanksionet, por për të cilat nuk gjeti unanimitet.
“Diplomacia nuk ka gabuar edhe nëse nuk pati sukses. Unë nuk mendoj se tani duhet të them se ishte gabim dhe nuk do të kërkoj falje. Në retrospektivë, në fakt jam e kënaqur dhe nuk kam pse të fajësoj veten që nuk u përpoqa të parandaloja një ngjarje si kjo. Përkundrazi, unë për fat të mirë jam përpjekur mjaftueshëm së bashku me presidentët francezë dhe kjo më jep një formë sigurie”, sipas saj.
Ajo gjithashtu mbrojti kundërshtimin e saj kur ishte në detyrë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO në vitin 2008, duke deklaruar se donte të parandalonte përshkallëzimin me Rusinë dhe sepse vetë Ukraina nuk ishte gati.
“Kjo nuk ishte Ukraina që ne njohim sot. Vendi nuk ishte i qëndrueshëm, ishte i mbushur me korrupsion”.
Ish-kancelarja u shpreh se kishte kundërshtuar dërgimin e armëve sepse Gjermania dhe Franca po përpiqeshin të drejtonin diplomacinë.
Merkel është akuzuar se e ka lënë Gjermaninë të pambrojtur duke ndjekur marrëdhëniet e udhëhequra nga biznesi me Rusinë.
Tubacioni Nord Stream 2 për të transportuar gazin natyror rus direkt në Gjermani u ndërtua ndërsa ajo ishte kancelare dhe u pezullua vetëm nga pasardhësi i saj, kancelari Olaf Scholz, pak para se Rusia të pushtonte Ukrainën më 24 shkurt.