Aktualitet Vrasja e Santiago Malkos, Apeli lë në fuqi dënimin për Blendi Tetën

Vrasja e Santiago Malkos, Apeli lë në fuqi dënimin për Blendi Tetën

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën, i akuzuar si pjesëmarrës në një grup kriminal që vrau ish-punonjësin e Policisë Santiago Malko.

“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 14.06.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u shpall vendimi lidhur me çështjen me nr. 36 akti, datë 29.03.2022 regjistrimi, mbi ankimin e shtetasit B.T., lidhur me “Kundërshtimin e Vendimit nr. 05, datë 26.01.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka disponuar mbi deklarimin fajtor të të pandehurit B.T.”, ku trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i përbërë nga gjyqtarët, kryesuese Iliriana Olldashi dhe anëtare Saida Dollani e Daniela Shirka vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 05, datë 26.01.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në një njoftim.

Ngjarja për të cilën u dënua Teta ka ndodhur në Gusht të 2019-s.Teta u gjykua në proces të zakonshëm, ndërsa prokuroria kërkoi 19 vite heqje lirie, duke kaluar nën minimumin e veprës penale. Kjo ka bërë që treshja gjykuese të vendos një dënim më të lartë nga sa u kërkua nga SPAK.

Në procesin ndaj Tetës u dëgjuan një sërë dëshmish dhe u panë pamje të kamerave të sigurisë që sipas prokurorisë vërtetonin fajësinë e tij, prova që u pranuan edhe nga trupa gjyqësore.

Vetë i pandehuri qëndroi mohues për akuzën, duke pretenduar se ka qenë në një darkë me personat të cilët gjenden në kërkim prej dy vitesh për vrasjen, por nuk pranoi të ketë pasur dijeni për atentatin.

Në kërkim si organizator dhe porositës të vrasjes janë shtetasit Leonard dhe Erlis Duka, Oltian Loga, Aleksandër Manxhaku dhe Dritan Agaj, ndërsa SPAK thotë se motiv i krimit është përplasja e dy grupeve kriminale në kryeqytet.