Presidenti i FSHF, Armand Duka i shtohet korit të zërave që propozojnë rikthimin e basteve sportive në vendin tonë.
Gjatë fjalës së tij në takimin me drejtuesit më të lartë të klubeve shqiptare në tryezën me temë “Sponsorizim/Formalizim/Zhvillim, futbolli shqiptar përballë sfidave të së ardhmes”, Duka theksoi me bindje se një pjesë e të ardhurave nga bastet, nëse shkojnë për sportin, do ta ndihmonin shumë.
I nxitur nga kërkesa e kryebashkiakut të Burrelit, Agron Malaj, që është njëkohësisht edhe president i skuadrës, Duka u shpreh se aktualisht në vend luhet në mënyra jo të ligjshme dhe kjo gjë duhet të ndryshojë: “Bastet sportive në Shqipëri janë ndaluar me ligj, por realisht me atë që shikoj bastet sportive janë ndaluar për të mos arkëtuar buxheti i shtetit. Bastet sportive ekzistojnë në çdo cep të Shqipërisë. Kështu që duhet që bashkë me ligjin e sponsorizimeve, t’i bëjmë një kërkesë Parlamentit e Qeverisë që t’i rikthejë”.