Ekonomi Para në dorë për punonjësit që denoncojnë shefat? Ashpërsohen masat për bizneset...

Para në dorë për punonjësit që denoncojnë shefat? Ashpërsohen masat për bizneset që deklarojnë paga të rreme

“Shteti shqiptar duhet të sigurojë mbrojtje të veçantë, përfshirë dëmshpërblim financiar për punonjësit që denoncojnë punëdhënësit për paga fiktive dhe duhet të ashpërsojë masat për punëdhënësit abuzues”. Kjo është ajo që vetë punonjësit kanë kërkuar përmes platformës së Këshillimit Kombëtar, që të përfshihet në ligjin e inspektimeve si mënyra më e mirë për të luftuar informalitetin.

Pr.ligji për disa ndryshime në ”Ligjin për inspektimin e punës” i hedhur së fundmi për konsultim, nuk e përfshin pjesën e trajtimit financiar të punonjësve që denoncojnë, por e lë të hapur si mundësi deri në finalizimin e tij. Ndryshime në projektligj synojnë mbrojtje më të lartë të të drejtave të punëmarrësve në rast të punëdhënësve abuzivë, përmes ashpërsimit të masave për punëdhënësit sa i takon zbatimit të legjislacionit në punë.

Konkretisht, në ligjin aktual përcaktohet një lloj imuniteti ndaj subjekteve që janë inspektuar dhe kanë rezultuar të rregullt, që nëse kryejnë shkelje pas inspektimit edhe pse mund të jenë të rënda dhe që mund të prekin shumë punëmarrës, detyrimi është të vendoset masa paralajmërim. Ndërsa sipas ndryshimeve,” Subjekti i inspektimit mund të dënohet drejtpërdrejt me gjobë, në vend të paralajmërimit, nëse shkelja e konstatuar ka sjellë pasoja të rënda apo lidhet me detyrimet e parashikuara në ligj për kontratën e punës, kohëzgjatjen e punës dhe pushimeve, pagën, të cilat prekin disa punëmarrës apo zgjasin në kohë”.

Po ashtu,  në rast të denoncimit për punësim informal, nëse ka dyshime të arsyeshme se shkelja zgjat në kohë, por kohëzgjatja e saj nuk është e përcaktuar, do të konsiderohet se shkelja zgjat prej 3 muaj, për të cilët punëdhënësi detyrohet të korrigjojë dhe eliminojë pasojat e shkeljes. Ky ndryshim synon të rivendosë çdo të drejtë që i është mohuar punëmarrësit si pasojë e punësimit informal, përshembull jo vetëm të paraqitjes së dokumentit përkatës të deklarimit të punësuarit, por edhe të përfundimit me shkrim të kontratës individuale të punës, apo të pagesës së kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për periudhën e informaliteti.

Gjatë vitit 2021 janë kryer nga Inspektorati Shtetëror i Punës, 7039 inspektime, ku janë vendosur 760 paralajmërime; 102 gjoba, dhe 524 masa të Pezullimit të përkohshëm të punës për shkelje të marrëdhënieve të punës.

Elisabeta Dosku / SCAN