Në një konferencë për mediat, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është ndalur në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka thënë se mohimi i gjenocidit serb në Kosovë është forma më e lartë e tradhtisë kombëtare.
“Janë 1400 engjëj, vogëlushë, qenie të pafajshme të cilët u vranë, u therën, u dogjën vetëm e vetëm për fajin e vetëm se kishin prindër shqiptarë, pra mendoj se në këtë aspekt mohimi që ai i bën genocidit ciklik serb në Kosovë që fillon nga gjysma e dytë e shekullit të 19 dhe përfundon me operacionin “Patkoi” është një aktakuzë shumë e rëndë për karakterin, për ndërgjegjen e tij kombëtare, por edhe për vlerat e qytetarinë e tij. T’i mohosh këto është njësoj si të shkelmosh mbi shpirtrat e gjakun e tyre, por kur këta janë shqiptarë, kjo është forma më e lartë e tradhtisë kombëtare“, tha Berisha.
Kreu i Partisë Demokratike Berisha ka thënë se i ka ndjekur marrëveshjet që do nënshkruhen sot mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë teksa ka shtuar se ato janë vetëm recitime. Berisha ka thënë se shqiptarët presin një marrëveshje dyshtetësinë apo shtetësinë sipas dëshirës. Po ashtu, kreu i PD-së Sali Berisha ka thënë se heqja e taksës në Rrugën e Kombit do të firmoset nga qeveria e ardhshme e Partisë Demokratike.
“Unë mund të kem shumë probleme të tjera për të shtruar sot para jush për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës por zgjodha vetëm këtë, edhe marrëveshjet unë i ndoqa, vetëm recituan. Në një kohë kur shqiptarët presin një marrëveshje për dyshtetësinë apo shtetësinë sipas dëshirës, por këtë krahas njohjes së gjenocidit ciklik, kjo do të jetë marrëveshja e parë. Përveç heqjes së taksës në Rrugën e Kombit që do të firmoset nga qeveria e ardhshme e PD“, tha Berisha.