Këshilli i Ministrave ka miratuar disa vendime. I pari ka të bëjë draft marrëveshjen me Italinë për përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike në veriun e Shqipërisë. Një tjetër vendim lidhet me pagën e ushtarëve, e cila do të rritet me 30 për qind nga 1 korriku.
“Sapo kaluam një draft marrëveshje që ka marrë formën e marrëveshjes me Italinë. Ka të bëjë me angazhimin e qeverisë italiane në raport me konferencën e donatorëve për rindërtimin.
I dedikohet një shume prej 30 milionë eurosh gjithë përmirësimit të rrjetit të energjisë elektrike në veriun e Shqipërisë.
Është pjesë e angazhimit prej 90 milionë eurosh kredi të qeverisë italiane dhe do të pasohet në javët që vjen me një 30 milionësh kredi për sektorin e bujqësisë, kryesisht tek peshkimi dhe një 30 milionë eurosh tjetër që ka të bëjë me emergjencat civile, e dedikuar për të gjithë ngritjen apo rifreskimin e pajisjeve që janë vjetëruar të flotës së emergjencave civile”, bëri me dije ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.
“Sot kemi bërë rritje historike të pagës së ushtarëve. Të gjithë ushtarakët nga data 1 korrik në bazë të këshillit të ministrave do të kenë një pagë 30% më të lartë. Do të jetë paga bazë 51 mijë lekë të reja”, deklaroi Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.