Kryesore Disa zonave pranë Butrintit u hiqet mbrojtja, Margariti: Janë 800 hektarë në...

Disa zonave pranë Butrintit u hiqet mbrojtja, Margariti: Janë 800 hektarë në “Bathoren” e Ksamilit

Ministrja e Kulturës Elva Margariti në konferencën për shtyp pas mbledhjes së qeverisë u pyet ndër të tjerat për statusin e parkut të Butrintit, në veçanti për një zonë rreth 800 hektarë që ka humbur statusin e tij të mëparshëm.

Sipas ministres, “Plani i Menaxhimit të Integruar ka vendosur në vëmendje të institucioneve, bazuar në rekomandimin e UNESCO-s, rishikimin e kufijve të zonave të mbrojtura, aty ku kanë humbur statusin e tyre. Zona e hequr prej 800 hektarësh është zona e Ksamilit, zonë e urbanizuar që jo më kot e kemi cilësuar si Bathorja e Butrinit”.

Sipas saj, “kjo zonë ka qenë deklaruar edhe si zonë me potencial arkeologjik. Nga 2014 kemi vënë një kuadër të qartë ligjor, ku kemi parë mungesën e potencialit arkeologjik. Pra nuk po prekim asgjë që ka vlera mjedisore dhe arkeologjike. Ka ardhur një moment i rishikimit të shumë parqeve kombëtare, rreth 18. Për sa i përket Gjirit të Manastirit, nuk ka rishikim të zonës”.

Margariti shtoi se “në Butrint nuk do të ketë ndërtime, përtej qendrës së vizitorëve që është aset i munguar për të arritur një standard botëror”.