Aktualitet Zbulimi i SHISH, Karamuço: Kush është zyrtari i lartë shqiptar që ka...

Zbulimi i SHISH, Karamuço: Kush është zyrtari i lartë shqiptar që ka tentuar të shesë sekretet shtetërore

Ervin Karamuço

Një zyrtar i lartë i kabinetit qeveritar ka tentuar të shesë informacione të klasifikuara si sekrete shtetërore për një diplomat të huaj, nga vendet “jomiqësore”.

Historia është bërë e ditur nga raporti vjetor i Shërbimi Informativ Shtetëror. Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço zbuloi detaje nw Abc News.

Zyrtari shqiptar identifikohet nga SHISH si “Çelësi” dhe diplomati i huaj si “Rezidenti. Funksionari është kapur në përgjime, ndërsa ngjarja ka ndodhur vitin e kaluar. Karamuço zbulon se zyrtari i kabinetit qeveritar do t’i shiste sekrete shtetërore diplomatit, në këmbim të shkollimit të djalit të tij jashtë.

Sakaq, diplomati është dëbuar nga vendi, ndërsa funksionari është shkarkuar nga detyra, por nuk është arrestuar. Për këtë ngjarje, tha eksperti janë vënë në dijeni Presidenti i Republikës dhe kryeministri.

“Dyshohet që është një funksionar i lartë që vitin e kaluar që ka komunikuar me një diplomat, kanë pasur shumë kontakte. Ai ka marrë para i është dhënë edhe një bursë nga ai shtet dhe në këmbim të kësaj ka dhënë informata sekrete shtetërore. Pseudonimi  i tij është “çelësi” dhe i huaji është “rezidenti”. Është një histori që është mbajtur sekret.

“Çelësi” është një funksionar i kabineteve të larta qeveritare. Ka marrë para dhe ka çuar djalin në një shkollë jashtë vendit në këmbim të sekreteve shtetërore. “Rezidenti” është i huaji, e ka marrë në restorante jashtë Tirane. I ka qarë hallin, që unë kam vetëm një rrogë, dua të çoj djalin jashtë. Ky i ka thënë do të ndihmoj për djalin. Kanë rënë dakord. Deri këtu mbyllet historia e publikuar nga SHISH. Diplomati është larguar menjëherë dhe është shpallur non grata. Ndërsa zyrtari nuk e ka konsumuar si vepër. Presidenti dhe kryeministri janë në dijeni të kësaj ngjarje që ka ndodhur vitin e kaluar. Ai është lëvizur nga posti, por nuk është arrestuar. Bëhet fjalë për kabinetin e ngushtë”, tha ai.

Eksperti shton më tej se duhet të mësojmë se cili është “çelësi” i kapur në përgjime. “Ne duhet të dimë kush është “çelësi”. Ky vend nuk mund të shitet për shkollim djali. Unë dua ai person që e ka bërë këtë gjë duhet të shkojë në burg. SHISH ka dashur ta bëjë në një formë skupi për të rritur edhe vigjilencën në shoqëri. Ne i dinim të vjetra këto. Do ketë të tjera tentativa dhe ne nuk duhet të kemi njerëz që shiten kaq lirë”, tha Karamuço.