Kryesore Prokurori që hetoi Sajmir Tahirin kandidon për SPAK-un

Prokurori që hetoi Sajmir Tahirin kandidon për SPAK-un

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj është prokurori i radhës që ka kandiduar për SPAK.

Hajdarmataj u rikthye vetëm një javë me parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pasi u transferua nga Arta Marku në prokurorinë e Pogradecit pas refuzimit për të marrë pjesë në shortin e dosjes Shullazi.

Në kohën kur drejtonte Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ai ishte një nga figurat e organit të akuzës, ku për një periudhë të gjatë vijoi me vendosmëri hetimet e çështjes “Tahiri”, i akuzuar për mbështetje të bandës së Habilajve në trafikun e drogës.

Pasi fitoi më 21 janar nga votimi i KLP-së të drejtën për t’u rikthyer te Krimet e Rënda, duke nxjerrë kështu blof kryeprokuroren Marku që e transferoi në Pogradec, Hajdarmataj ka hedhur sot një tjetër hap të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë.

Aplikimi i Besim Hajdarmatajt vjen dy ditë para skadimit të afatit për të aplikuar në këtë strukturë.

Aplikimet për 15 vende në SPAK janë të hapura deri në 7 shkurt. Në institucionet e reja e pritet të formohen për llogari të reformës, pritshmëria më e lartë publike është për SPAK, strukturën e veçantë që do të hetojë dhe vendosë para përgjegjësisë politikanët dhe zyrtarët e lartë.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) do t’i kryejë funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Prokurorët kandidatë për në SPAK janë: Besim Hajdarmataj, Behar Dibra, Arben Kraja, Vladimir Mara, Dritan Prençi, Klodian Braho, Besnik Muçi, Anton Martini, Eneid Nakuçi, Edvin Kondili, Eugen Beci, Dolorez Musabelliu.