Ndryshe nga kryeministri Edi Rama, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se amnistia fiskale është një akt me pasoja katastrofale për rendin, sigurinë dhe biznesin në vendin tonë.
Sipas Berishës, synimi është që “çunat” të legalizojnë paratë e krimit. Prandaj, kreu i selisë blu tha se partia që ai drejton është kategorikisht kundër këtij akti.
“Problemi i parë që dua të paraqes para jush është amnistia fiskale, një akt me pasoja katastrofale për rendin dhe sigurinë e biznesin në Shqipëri. Duke përshëndetur të gjitha reagimet brenda vendit dhe të huaja, të bëra kundër këtij akti, paralajmëroj gjithashtu qeverinë se amnistia e saj fiskale është një goditje shumë e rëndë për bizneset e ndershme, është një goditje shumë e rëndë për reputacionin e vendit, është një goditje shumë e rëndë për rendin dhe sigurinë në Shqipëri.
Nëse siç ka qëllim kryesor të legalizojë paratë e krimit, pasi ju e keni të qartë se nuk ka shqiptar të ndershëm i cili me punën shtesë që mund të bëjë, me punën e ndershme, qoftë edhe të paregjistruar, të mund të sigurojë 2 milionë euro kursime, është gjithçka që ka vetëm një synim që “çunat” të legalizojnë paratë e krimit dhe ne jemi kategorikisht kundër saj.
Gjithashtu, me këtë proces nuk ka diskutim se Edi Rama dhe grupi i tij do të kenë një taksë veças nga ajo që kanë shpallur për shumicën e këtyre shumave të legalizuara. Ky është një shpërblim që njerëzit që merren me trafiqe kriminale nuk e meritojnë kurrë. Ky është shkelmimi i barazisë dhe parimeve të drejta të biznesit. Këtyre ua rrit taksat në 23%, atyre u thotë për paratë që keni e keni 7 apo 8%”, u shpreh Berisha.