Ambasadorja e Francës Elizabet Barsacq dhe ai i Gjermanisë, Peter Zingraf qenë të ulur në rreshtin e parë të të ftuarve në takimin e organizuar nga qeveria për amnistinë fiskale. Ata kanë dëgjuar të flasë ministren e financave, delina Ibrahimi, zv.kryeministrin Arben Ahmetaj dhe një barrister nga Britania e Madhe për amnistinë, specifikat e ligjit dhe përfitimet nga nisma.
Por sapo fjala iu dha kryeministrit Rama, ambasadorja franceze i ka bërë një shenjë atij gjerman. Të dy janë çuar në këmbë dhe kanë braktisur takimin, sikur ta kishin bërë me fjalë më herët.
Rama duket se ka mbetur keq dhe pas një pauze disa sekonda ka nisur t’u flasë ambasadorëve në mungesë. Në fjalën e tij, kryeministri ka kërkuar respekt nga ndërkombëtarët, që nuk mund ta trajtojnë Shqipërinë si një vend armik.
“Miqve dhe partnerëve europianë dua t’u them që respekti reciprok është ai që me respekt mund të refuzohet çdo ide, por ta trajtosh Shqipërinë si një vende armiqsh, ndërsa amnistia është bërë në të gjitha vendet që na japin mësim, kjo nuk është asgjë e drejtë, asgjë e duhur që tregon respektin pa kushte që ka Shqipëria ndaj partnerëve të saj” u shpreh kryeministri në fjalën e tij.
Ndërkombëtarët janë kundër amnistisë fiskale, që rrezikon të pastrojë paratë e krimit dhe korrupsionit, por reagimet e mëparshme të dhomave të tregtisë Rama i ka quajtur “fletërrufe” dhe u ka kujtuar vendeve europiane se edhe vetë ato kanë aplikuar më parë amnisti fiskale.