Një tentativë helmimi është kryer ndaj bashkëpunëtorit më të afërt të Vladimir Putin, iniciatorit të pushtimit të Ukrainës, siç pretendohet nga një media ruse. 71-vjeçari Nikolai Patrushev, një “skifteri i Kremlinit”, ish-kreu i shërbimit sekret FSB dhe sekretar i Këshillit të Sigurimit të Moskës, thuhet se u dërgua me urgjencë në spital ditët e fundit pasi u ndje keq.
Sipas General SVR, një kanal rus Telegram i drejtuar nga disidentë të qeverisë Putin, rezultatet e testeve toksikologjike zbuluan se Patrushev ishte ekspozuar ndaj një “helmi sintetik”, por në fund mbijetoi.
Në një seri intervistash që ai dha për gazetat ruse, 71-vjeçari Patrushev parashikoi rënien e Evropës nën peshën e një krize globale ushqimore dhe refugjatësh dhe shpërbërjen e Ukrainës në disa shtete.
Sekretari i fuqishëm i Këshillit të Sigurimit kishte shërbyer në selinë e KGB-së në Shën Petersburg, ndërsa kishte argumentuar se SHBA qëndronin pas tensioneve në Ukrainën lindore dhe se qëllimi përfundimtar i Uashingtonit ishte të shkaktonte kolapsin e Rusisë.
“Detyra jonë është të mbrojmë integritetin territorial të vendit tonë dhe sovranitetin e tij”, kishte theksuar Patrushev, duke shprehur një pikëpamje të Luftës së Ftohtë.
Partneri i Putinit shpejt u bë zëdhënësi kryesor i një linje të ashpër kundër Perëndimit.
Paraqitja e tij e papritur në qendër të vëmendjes pas më shumë se dy dekadash aktiviteti në prapaskenë, padyshim që nxjerr në pah ndikimin e madh që ai ka në Kremlin.
Në një kohë, kur u përfol për gjendjen shëndetësore të Putinit, ai u shfaq si një zëvendësues i mundshëm i presidentit rus.