Pas konfirmimit të kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha përsa i përket ndalimit të hyrjes së tij në Britaninë e Madhe gjatë konferencës për mediat, kreu i PD-së është pyetur se a mendon se pas këtij vendimi fshihet deputeti Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama.
Berisha është përgjigjur duke thënë se Rama dhe Basha qëndrojnë plotësisht pas ndalimit të tij në SHBA dhe së fundmi në Britaninë e Madhe.
Pyetje: Në Dhjetor të vitit 2021, keni deklaruar se pas shpalljes tuaj “non grata” nga SHBA qëndronte Kryeministri Rama, por edhe Lulzim Basha, me qëndrimin e fundit të Britanisë së Madhe që sapo na komunikuat, a qëndron përsëri Edi Rama dhe Lulzim Basha?
Sali Berisha: Qëndrojnë plotësisht. Rregulli është ky: Nëse SHBA ndalojnë vizat një personi, sipas një traktati që kanë me Five Eye, quhet traktati i 5 syve, janë Australia, Zelanda e Re, Kanadaja, SHBA. Pothuajse automatikisht u ndalohet. Mesa kuptova unë nga letra, nuk është ky ndalim mbi bazën e traktatit të “Five Eye”, mund të jetë nuk e di. Ajo që di unë është se Edi Rama njoftoi të parin, njoftoi të dytin. Ajo që di unë është se të akuzosh një tjetër për një çështje të një personi 14 vite më parë, e cila është zbardhur 100 për qind dhe që vazhdon të bëjë biznes, do të thotë të jesh i mashtruar dhe këtë mund ta bëjë vetëm mafia shqiptare. Burimet janë të njëjtat. Unë kam patur të dhëna të sigurta se diplomatë nga Departamenti i Shtetit kanë bërë presion deri dhe duke thënë se tani që arritëm konsensus në luftën me Ukrainën, duhet të arrijmë konsensus dhe në çështjen Berisha sepse nuk kishin asnjë fakt apo dokument. Në çfarë shkalle është kjo, nuk mund ta them.
I pyetur nga gazetarët nëse i është ndaluar hyrja edhe familjes së tij në Britaninë e Madhe, Berisha ka thënë se në letrën që i ka ardhur nuk citohej askush tjetër përveç tij.
Sali Berisha: Në letër nuk citohej askush përveç meje, në letër bëhej fjalë për Sali Berishën.
Në konferencën me gazetarët, kryetari i PD-së Berisha ka thënë se për vendimin e ndalimit të tij në Britaninë e Madhe do të konsultohet me ekspertë dhe do të marrë hapa ligjorë.
Sali Berisha: Do të bëj atë që do këshillohem me ekspertë ligjorë. Di këtë që vendi më i përshtatshëm për të paditur me shpifje është Britania e Madhe. Di që Britania e Madhe është anëtare e Këshillit të Europës. Pra, juridiksioni i Strasburgut është i plotë. Nuk mund të them hapin e tretë pa më këshilluar këshilltarët ligjorë. Sigurisht, përveç hapave ligjorë, nuk kam çfarë hapash të marr.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së ka deklaruar se një vendim i tillë është politik.
Sali Berisha: Është mafia shqiptare që po sponsorizon dhe subvencionon këtë gjë. I vetmi problem që kam unë janë hapat që do ndërmarr. Nuk kanë asnjë fakt, asnjë citim dhe nuk do ketë kurrë, as për korrupsionin, as për lidhjet me krimin. Kush e ka bërë zgjidhjen e tij, e ka bërë. Vendimi është kryekëput politik. Vendimi i parë dhe ai i dyti. Nuk është ky problemi im kryesor. Problemi im kryesor janë sot dhimbjet, vuajtjet e qytetarëve shqiptarë në terrorin e çmimeve, në terrorin e varfërisë, në terrorin e vjedhjeve si të asnjë populli tjetër. Unë u besoj atyre. E kam thënë se u besoj shqiptarëve. Unë prapë do fitoj. Unë do mbroj interesat e tyre.