Aktualitet Kapet 26-vjeçari, dyshohet se do kryente vrasje me pagesë

Kapet 26-vjeçari, dyshohet se do kryente vrasje me pagesë

Policia e Korçës ka njoftuar se ka finalizuar një aksion dhe ka vënë në pranga një 26-vjeçar duke parandaluar në këtë mënyrë një ngjarje të rëndë kriminale. Sipas asaj që njoftohet, i riu me iniciale K.A qarkullonte i armatosur dhe gati për qitje.

Autoritetet kishin marrë informacion në rrugë operative se 26-vjeçari kishte dalë muajt e fundit nga burgu dhe dyshohet se do të kryente një vrasje me pagesë.

Aksioni i policisë ndodhi në lagjen nr. 14 në Korçë. I riu sapo ka parë që po ndiqej është përpjekur që të largohet me shpejtësi.

Në arratisje e sipër ka nxjerrë armën nga brezi, e cila ishte e mbushur dhe e ka hedhur në një kosh në anë të rrugës. Por i riu u vu në pranga dhe pistoleta u sekuestrua.

Ndërkohë uniformat blu kanë proceduar për moskallëzim krimi një 17-vjeçar, që në momentin e arrestimit ka qenë i shoqëruar me 26-vjeçarin.

Policia nuk jep detaje të tjera për shkak të hetimeve, por thotë se vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.