Lidhur me ngjarjen e ndodhur në Elbasan mëngjesin e sotëm ku Ramiz Mici vrau me thikë bashkëshorten e tij, Jetlira Elezin, policia ka qartësuar rrethanat para se të ndodhte krimi.
Jetlira Elezi është paraqitur mbrëmjen e datës së 26 Korrikut, në orën 21:30 në komisariat për të deklaruar konfliktin me bashkëshortin, Micin.
Menjëherë është njoftuar Zyra e Forumit të Dhunës ndaj Gruas ku si përfaqësues është paraqitur avokati i kësaj zyre, me iniciale E.Gj.
Mici është shoqëruar në ambientet e komisariatit, ndërsa Jetlira ka deklaruar se konflikti ishte për motive xhelozie e madje bashkëshorti i kishte thyer edhe telefonin.
Elezi nuk ka pranuar të kryejë kallëzim penal për dhunë në familje, por kërkoi vetëm një urdhër mbrojtjeje për të evituar kontaktin mes tyre. Policia raporton se gjatë kohës që të dy ndodheshin në komisariat, kanë qëndruar të qetë e madje edhe kanë komunikuar me njëri-tjetrin.
Po atë mbrëmje, në prezencë të avokatit është plotësuar formulari i vlerësimit të riskut si dhe kërkesë padia për urdhrin e mbrojtjes dhe është dërguar në gjykatën e shkallës së parë Elbasan.
Gjatë intervistës, Ramiz Micit iu shpjegua përgjegjësia ligjore dhe pas 10 orësh, u la i lirë, por çifti më pas ka jetuar në të njëjtën banesë, por në dhoma të ndryshme.
Elezi është orientuar që të takohet me Forumin e Gruas e më datë 27 Korrik ajo është paraqitur atje. Sipas tyre, Jetmira dukej e qetë psikologjikisht dhe e pashqetësuar për situatën e krijuar. Kjo është konfirmuar edhe në datën 29 Korrik në orën 12:30 nga ana e Ndihmës së Specialistit të Policimit në Komunitet që ka kontaktuar me të.
E njëjta është përsëritur edhe me Ramiz Micin, që po ashtu ka qenë i qetë. Palëve janë njoftuar për seeancën gjyqësore të paraqitjes së tyre lidhur me kërkesë-padinë, si dhe kanë nënshkruar.
Por në orët e para të së shtunës, Jetlira Elezi u masakrua me thikë nga Ramiz Mici, i cili ndodhet në kërkim nga policia.