Pas barazimit me Barcelonën (2-2) vjen humbja me Realin e Madridit. Juventusi u mposht 2-0 në miqësoren ndaj ekipit të Carlo Ancelottit. Kampionët e Spanjës dhe Europës fituan falë golave të Karim Benzema dhe Marko Asensio.
Kapiteni zhbllokoi takimin me një penallti të ekzekutuar saktë, ndërkohë që Asensio vulosi fitoren e “Los Blancos” me golin e shënuar në pjesën e dytë të ndeshjes.
Trajneri i Juventusit, Max Allegri nuk është i shqetësuar për këtë disfatë, teksa vlerësoi shumë skuadrën kundërshtare. “Luajtëm një ndeshje të mirë ndaj skuadrës më të fortë në Europë.
Për sa kohë ishte e mundur të luanim, ne e bëmë. U përpoqëm të mos e humbnim topin kot. Jam i kënaqur me punën e djemve, disa lojtarë do rikthehen dhe mund të rritemi edhe më shumë.
Sfida pati shumë raste për gol nga të dy ekipet, duhet të kishim më shumë durim dhe qetësi te rastet tona. Kampionati po afron, kështu që le të pushojmë disa ditë”, deklaroi trajneri i Juventusit.
Por duket se Max Allegri nuk do të pushojë pa strese. Dëmtimet nuk po e lenë të qetë trajnerin e Juventusit, të cilit do i duhet të bëjë pa Paul Pogba për disa ndeshje.
Mesfushori francez dëmtoi meniskun në miqësoren ndaj Club America dhe rrezikon pjesëmarrjen në Botërorin e Katarit me Francën e tij.
Probleme fizike edhe për Ëeston McKennie. Amerikani nuk luajti ndaj Realit të Madridit për shkak të një problemi në shpinë.
23-vjeçari nga Teksasi do të qëndrojë minimalisht 2 javë pushim, ndërkohë që mediet italiane raportojnë se rikthimi i tij në fushë mund të ndodhë pas një muaji.
Pogba dhe McKennie janë të dëmtuar, braziliani Arthur është me valixhe gati, teksa Juventusi do të hidhet në merkato për të siguruar një qendërmesfushor.