Ajo quhet ndryshe si “Tmerri i politikanëve”. Prokurorja kroate, Tamar Laptosh, ka nisur takimet e nivelit të lartë në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë.
Paraditen e sotme ajo është pritur në një takim nga kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi. Prokurorja speciale e USKOK, Tamar Laptosh, e cilësuar si një ndër prokuroret më të mira, pritet të japë eksperiencën e saj në institucionet e reja të drejtësisë si SPAK.
Gjatë takimit, kreu i KLP, Ibrahimi mësohet të jetë shprehur se “drejtësia në vende të tjera si Kroacia është pikë referimi”. Ai ka thënë se “SPAK duhet të ngrihet sipas standardeve ndërkombëtare“. Nga ana e saj prokurorja Laptosh theksoi se “SPAK duhet të jetë themeli i paanshmërisë e integritetit”.
Laptosh, prokurorja që hetoi dhe dërgoi në bankën e të akuzuarve ish-kryeministrin kroat Ivo Sanader dhe ish-zv/kryeministrin do të qëndrojë dy vjet në Shqipëri. Ajo do të japë eksperiencën e saj se si hetohet korrupsioni dhe si hetohen zyrtarët më të lartë. Gjatë një takimi me dyer të mbyllura, Laptosh tregoi se “për të hetuar korrupsionin duhet së pari që të përzgjedhurit e SPAK-ut të kenë besueshmëri të lartë, të ketë koordinim mes Gjykatës kundër Korrupsionit dhe SPAK-ut si edhe të ketë vullnet”.
Ndërkohë, në një takim me prokurorët një ditë më parë, prokurorja kroate ka rrëfyer edhe eksperiencën e saj në hetimin e ish-kryeministrit kroat, Ivo Sanader, njeriun më të fuqishëm të Kroacisë disa vite më parë, të cilin ajo e çoi në burg për korrupsion. “Kur unë po hetoja ish-kryeministrin, besueshmëria e publikut nuk ishte shumë e lartë sepse ai ishte i fuqishëm dhe arrogant. Ne vinim nga një eksperiencë në të cilën nuk ishte hetuar ekzekutivi, por më pas u mblodhën prova dhe gjatë procesit besueshmëria e publikut u rrit”, ka thënë Laptosh.
Hetimi i zyrtarëve të lartë për afera korruptive do jetë pikërisht fokusi dhe objektivi i SPAK, Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Deri më tani kanë aplikuar vetëm 13 prokurorë për në SPAK, ndërsa prokuroria e posaçme duhet të ketë 15 prokurorë, por sipas ligjit, ajo bëhet funksionale edhe me vetëm 10 prokurorë, të nevojshëm për marrjen e vendimeve.