Duke folur për ata që cilëson si skandale të qeverisë Rama, nga tragjedia e Potamit tek afera e inceneratorëve, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë konferencës javore për shtyp deklaroi se sezoni i ri politik do të shënojë një valë të re protestash, me synim rënien e qeverisë.
Sipas tij, opozita po pret me padurim ato ditë. “Shtatori po vonon. Qytetarët shqiptarë duhet të përgatiten dhe do përgatiten për t’i dhënë përgjigjen më të merituar këtij njeriu që nuk respekton, për të cilin realiteti i hidhur shqiptar nuk ekziston. Opozita e ka shpallur armik Edi Ramën dhe nuk e lëvizim atë. Ne do mobilizohemi dhe do i japim atij atë që meriton”, ishin fjalët e tij.
Për Berishën qeveria do të bjerë pikërisht për shkak të inceneratorëve. “Epiqendër e betejës sonë do jetë çështja e djegësve. Ky zotëri ka firmosur në kundërshtim me ligjet e vendit tenderin me negociata të mbyllura, tenderin për vjedhje. Ky është përgjegjësi numër 1. Ky nuk mund të shpëtojë, ky i ka kohërat e numëruara. Djegësit aty ku djegin plehrat, do djegin qeverinë e tij”, deklaroi ish-kryeministri.
Madje ai shton edhe shembuj të tjerë, si ai për ndërtimin e portit të Durrësit dhe komplekseve rezidenciale përreth. “E morët vesh që në Portin e Durrësit kanë nisur të shesin apartamente. U bëj thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimit se do jenë subjekt konfiskimi. Mos vendosni asnjë investim në një skemë gjigante vjedhje që shkon deri në 4-5 miliardë euro”, paralajmëroi Berisha.
Sipas tij , protestat e vjeshtës politike do të kenë një faktor të përbashkët. “Skenari është protestë qytetare civile, me të gjitha mjetet e mosbindjes civile, këto janë limitet e kryengritjes paqësore që do të vij. 7 korriku ishte dëshmia më madhështore e kësaj që unë them. Kemi një opozitë të vërtetë, arritëm koalicion me luftëtarë të shoqërisë civile, tani duhet të arrijmë edhe shumicën e heshtur”, shtoi ai në konferencën për shtyp.