Aktualitet Gjykata cakton “arrest me burg” për Arjan Tasen, akuzohet për “vrasje me...

Gjykata cakton “arrest me burg” për Arjan Tasen, akuzohet për “vrasje me dashje”

Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Arjan Tasen.

Ish-shefi i policimit në komunitet, Arjan Tase është përballur sot në Gjykatën e Vlorës me akuzën e ‘Vrasjes me dashje’ dhe jo për ‘Vrasje e kryer nga pakujdesia’.

Kjo është akuza me të cilën Prokuroria ka dërguar në Gjykatë për ish-efektivin, që paraditen e 2 Gushtit duke drejtuar një mjet lundrues goditi për vdekje 7-vjeçaren, Jonada Avdia.

Ish-efektivi i policisë Arjan Tase ende nuk ka zgjedhur një avokat, por i është caktuar një i tillë nga ana e Gjykatës së Vlorës.

Ashpërsimi i akuzës së ngritur ndaj ish-shefit të policisë, vjen pas verifikimit të pamjeve filmike në vendngjarje dhe dëshmive të pushuesve.

Grupi hetimor ka konkluduar se Arjan Tase ka patur mundësi për të parandaluar aksidentin fatal në një zonë të dedikuar për pushuesit.

“Disa nga pushuesit e kanë paralajmëruar se rrezikonte jetët e tyre me afrimin e skafit ne breg”, thuhet në konkluzionet e prokurorisë.

Referuar kodit penal me akuzën që pritet të përballet në Gjykatën e Vlorës, ish-efektivi rrezikon dënimin nga 10 deri në 20 vite burg.