Ndeshja miqësore mes Juventusit dhe Atletiko Madrid nuk do të zhvillohet në Tel Aviv, siç ishte programuar.
Shkaku për anulimin e ndeshjes në fjalë në Tel Aviv ka të bëjë me faktin se qyteti izraelit është kërcënuar për sulm me raketa, pas përshkallëzimit ushtarak të situatës mes Izraelit dhe xhihadistëve të Rripit të Gazës.
Nisja e Juventusit ishte programuar për sot, në orën 15:00, por tani ka ardhur vendimi që ky udhëtim të anulohet. Sipas ‘As’, edhe Atletiko vendosi të mos niset për në Izrael.
Sulmet e avionëve izraelitë në Rripin e Gazës kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 10 personave, mes të cilëve edhe komandantit të sektorit të veriut të xhihadit islamik, Tayasir Jabari. Si kundërpërgjigje janë hedhur 70-80 raketa nga Rripi i Gazës drejt qendrës së vendit, por nuk pati viktima.
Lideri politik i organizatës islamike, Ziad Nahaleh, ka thënë se “Tel Avivi dhe të gjitha qytetet e tjera izraelite janë në shënjestër”. Nga kjo deklaratë është ngritur alarmi për ndeshjen e nesërme.