Dy mijë vjet më parë, Perandoria Romake ndodhej në kulmin e pushtetit. Si mundi të rrëzohej një perandori kaq e madhe? Një ekspozitë në Trir të Gjermanisë e kërkon përgjigjen në trazirat e antikitetit të vonshëm.
“Romam salvete”: Mirëseerdhët në Perandorinë Romake. Kjo mbretëri antike shtrihej nga Britania deri në Detin e Zi dhe nga Spanja deri në Egjipt. Aftësitë ushtarake dhe arritjet teknike dhe kulturore të saj kanë qenë të pashembullta. Banorët e saj përfituan nga kanalizimi dhe uji i freskët që transportohej nëpër akuadukte dhe jetuan në shtëpi me ngrohje nga dyshemeja. Edhe në rajonet më të largëta të provincave kishte rrugë të përshtatshme dhe lulëzonte tregtia.
Publiku freskohej në banjat termale dhe shijonte ushqimin e shijshëm, ndërkohë që kënaqej në arenat e teatrit dhe të cirkut. Edhe sot, ka shumë dëshmi në botë për trashëgimitë e shumta të perandorisë dikur në lulëzim. Triri, krijuar në shekullin e 17 p.e.s. dhe qyteti më i hershëm i Gjermanisë, është një nga këta shembuj. I njohur në shekullin e katërt si “Augusta Trevorum”, ai ka qenë për shumë dekada seli e Perandorisë Romake. The Porta Nigra (latinisht për porta e zezë), e cila mund të shihet edhe sot, është shpallur në vitin 1986 trashëgimi kulturore e UNESCO-s, Cultural Heritage dhe është dëshmi për trashëgiminë e Perandorisë Romake në veri të Alpeve.
Prandaj Triri është zgjedhja e duhur për ekspozitën “Rënia e Perandorisë Romake” – “The Fall of the Roman Empire.” Tre muzeume të këtij qyteti trajtojnë çështje interesante se si ra në harresë kjo mbretëri e stërmadhe.
Duke lënë pas një boshllëk politik
Muzeumi “Rheinisches Landesmuseum” ka ekspozuar në stendat e tij shumë objekte arkeologjike, përfshirë objekte të marra hua nga Louvre në Paris, dhe Uffizi në Firence dhe muzeumi kombëtar antik i Algjerisë, Musee Public National des Antiques. Ekspozita tregon se si Kisha zuri boshllëkun politik që lanë pas romakët, dhe muzeumi “Stadtmuseum Simeonstift” i Tririt tregon për trashëgiminë e Perandorisë Romake në historinë e kulturës dhe të artit.
Një gjë është e qartë: Perandoria nuk u shkatërrua nga ndonjë rrufè. “Sikur të kishte qenë kaq e lehtë, nuk do të kishim organizuar këtë ekspozitë të madhe, dhe kërkimet nuk do ishin shtrirë në shekuj me radhë,” thotë historiania e artit dhe manaxherja e projektit, Anne Kurtze nga muzeumi Landesmuseum në Trier, duke shtuar se rënia ka qenë “një seri ngjarjesh”.
A ra Roma për shkak të madhësisë?
“Duket se dimensionet e mëdha të Perandorisë Romake kanë qenë gjithnjë sfidë e jashtëzakonshme”, thotë Kurtze. Gjeneralët romakë pushtuan gjithnjë e më shumë vende, të cilat u kthyen në provinca të Perandorisë. Në rend të ditës kanë qenë shpenzimet e mëdha ushtarake, në mënyrë që të siguroheshin kufijtë e jashtëm të perandorisë që shtrihej nga Oqeani Atlantik deri në Eufrat, me një gjatësi prej 15 mijë kilometrash (9,321 miles). Për të mbrojtur perandorinë nga fiset gjermane ishte ngritur në veri Muri i Hadrianit dhe në Europën Qendrore ishin ngritur Limes, limitet (muret e kufirit). Ndërtimet dhe mirëmbajtja e tyre kërkonin shuma të mëdha, po ashtu siç kërkonin shuma të mëdha pagesat për legjionet romake.
Gjermanët e egër, qofshin ata gotë luftarakë apo dhe vandalë të pacivilizuar, pra barbarët janë futur shpesh në pasqyrimin e asaj kohe sikur depërtojnë në perandori dhe shkaktojnë erozione të saj nëpërmjet zhvendosjes së popullsisë. Por kuratorët e muzeumit nuk janë të kënaqur me këtë ide. Fakt është se atje ka pasur refugjatë që largoheshin nga hunët pushtues, por në fakt romakët nuk ishin më në gjendje t’i mbronin vetë kufijtë, për shkak të rënies së numrit të popullsisë: mirëqënia e njerëzve në perandori bëri që të binte niveli i lindjeve dhe të rritej nevoja për të mbushur vendet në ushtri.
Kështu u rekrutuan ushtarë të huaj nga radhët e “barbarëve” në mënyrë që të forcohej ushtria romake. Por të ardhurit nuk u kthyen vërtet në “romakë”. Ata mbetën në zemrat e tyre gjermanë dhe nuk ndoqën gjithnjë urdhërat e legjionarëve romakë. Ata madje nxitën luftëra civile, që u bënë kryesisht për shkak të pagimit ose të statusit që kishin në Perandorinë Romake. Konfliktet e brendshme e dobësuan edhe më shumë perandorinë.
Po taksat e larta dhe dekadenca e klasës së lartë?
Duke filluar me shekullin e dytë, Perandoria nuk u zgjerua më. Kjo do të thotë se as thesaret e shtetit nuk mbusheshin më me plaçkë lufte dhe skllevër të rinj nuk vinin të përdoreshin si krah pune. Nga viti 429 deri në vitin 439 p.e.s. vandalët morën provincën më të rëndësishme të Perandorisë Romake: Afrikën e Veriut, nga e cila romakët merrnin drithërat e bukës. Të ardhurat nga kjo provincë e pasur ranë dhe pushtetmbajtësit duhet t’i siguronin shpenzimet diku gjetkë.
Si pasojë Roma vazhdoi të rriste taksat, gjë që bëri që shumë qytetarë të përfundonin në pragun e urisë. Në të njëjtën kohë, klasa e lartë dekadente jetonte në bollëk dhe kishte pak ose aspak interes për politikën. Një shembull i njohur për ekscentricitetin e klasës në pushtet është Perandori Caligula. Sipas historianëve Sueton dhe Cassius Dio, Caligula e emëroi “konsull” kalin e tij dhe e prezantonte atë bashkë me pallatin dhe skllevërit. Ekspozita e Tririt tregon po ashtu pikturën e famshme, “Të preferuarit e Perandorit Honorius,” të John William Waterhouse (1849-1917). “Ajo tregon se mbreti nuk kishte interes në detyrën e tij si burrë shteti. Por a tregon një pikturë e tillë realitetin apo është vetëm klishè e krijuar për perandorinë nga bota e mëpastajme?” pyet Kurtze.
Krishtërimi dhe ndarja e perandorisë
Për shumë shekuj romakët besonin në zotër të ndryshëm dhe vlera të caktuara. Nën Perandorin Theodosius, krishtërimi u deklarua si feja e vetme e shtetit në 380 p.e.s. duke dobësuar idetë romake.
“Institucioni i ri i kishës morri përsipër të kryente shumë detyra që më parë kryheshin nga administrata e Perandorisë Romake,” shpjegon Anne Kurtze. “Sidoqoftë, kjo nuk ka qenë arsyeja e kolapsit, por një proces ndryshimesh në Perandorinë Romake, e cila ndodhej në shembje e sipër.”
Në vitin 395 p.e.s., pas vdekjes së Perandorit Theodosius i Madh, perandoria u nda mes djemve të tij: në Romën perëndimore dhe Romën lindore. Në lindje, Kostandinopoja u kthye në seli të perandorit, në perëndim selia u vendos herë në Milano, pastaj në Ravenë dhe nganjëherë në Romë. Ajo ende konsiderohej Mbretëri, por drejtohej nga dy perandorë. Por Roma e Lindjes ra vetëm në vitin 1453 kur Sulltan Mehmedi II morri Konstandinopojën, ndërsa pjesa perëndimore iu morr në vitin 476 perandorit Romulus Augustulus nga kryesuesi i fiseve gjermane, Odoaker.
Çfarë ka mbetur
Sipas Kurtzes, fillimisht disa nga krizat ishin pak të dukshme në Perandorinë e shekullit të katërt. Edhe në antikitetin e vonshëm, marrëdhëniet tregtare bënë që Triri të lulëzonte.
Por në vend të Perandorisë Romake, u krijuan mbretëri të vogla, të qeverisura nga frankët, burgundët ose gotët. Perandoria Romake as pati ndonjë administratë efektive, as krijoi ndonjë mekanizëm për mirëmbajtjen e infrastrukturës. Ngadalë filluan të dukeshin ndryshimet, sidomos në qytete. Akuaduktet u rrënuan sepse askush nuk dinte si t’i mirëmbante. Fiset gjermane mbollën perime në vendin e kopshteve dekorative, monumentet e mermerta u shkatërruan, sepse materiali duhej për ndërtimin e shtëpive. Kultura romake filloi të zhdukej hap pas hapi.
Ekspozita “The Fall of the Roman Empire” do të qëndrojë e hapur në Trir deri në 27 nëntor. Aktiviteti kërkon të krijojë lidhje me të tanishmen, sepse ndryshimet klimatike të shoqëruara me shkatërrimin e korrjeve dhe urinë ndikuan në fatin e Romës dhe nxitën zhvendosjet e popullsisë në antikitetin e vonshëm, thotë Anne Kurtze. Dhe njësoj siç ra COVID në kohën tonë, ka pasur shumë sëmundje të ngjashme që u ranë romakëve./DW