Polumbarët kanë gjetur trupin e pajetë të 14 vjeçarit që u zhduk dje në lumin Seman teksa ishte duke gjuajtur për peshk.
Ajo çka e bën më të rëndë këtë ngjarje është se kësaj familjeje i është mbytur një prej fëmijëve në lumin Seman. Sipas banorëve të zonës, fëmija është mbytur rreth 10 vite më parë.
14-vjeçari ka qenë duke peshkuar në brigjet e lumit Seman ditën e djeshme rreth orës 19:00, por nuk është kthyer më.
Banorët e zonës shprehen se familja e 14-vjeçarit janë në kushte shumë të vështira ekonomike.
Ata thonë se u është ndërprerë ndihma ekonomike, ndërsa i bëjnë thirrje shtetit që t’ua rikthejnë sërish pasi kjo familje e ka shumë të vështirë të siguroj të ardhura, pasi edhe i zoti i shtëpisë ka ndërruar jetë.