Opinione Pse shkenca ndaloi së mbështeturi ateistët dhe filloi t’i drejtohet Zotit?

Pse shkenca ndaloi së mbështeturi ateistët dhe filloi t’i drejtohet Zotit?

Nga Stephen C.Meyer – Newsweek

Lajmet e kohëve të fundit, nuk kanë qenë inkurajues për besimtarët. Një sondazh i Gallup,tregon se përqindja e amerikanëve që besojnë në Zot ka rënë në 81 për qind. Një rënie prej 10 për qind gjatë dekadës së fundit, dhe niveli më i ulët historik.

Kjo tendencë përshpejtuese, është veçanërisht më e theksuar tek të rinjtë. Sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore Pju, 18-29 vjeçarët janë të përfaqësuar në mënyrë disproporcionale midis të ashtuquajturve ateistë, gnostikë, dhe pa lidhje me ndonjë besim fetare.

Pastorët dhe udhëheqësit e tjerë fetarë, ia atribuojnë këtë prirje shumë faktorëve: rritja e të rinjve jashtë kishës, mosnjohja e liturgjisë dhe kulturës së kishës, madje edhe Covid-19. Ne gjetëm një përgjigje tjetër në sondazhin tonë kombëtar, në lidhje me arsyet themelore për këtë mosbesim në rritje:keqkuptimi ndaj shkencës.

Sondazhi ynë zbuloi se mesazhi i perceptuar i shkencës, ka luajtur një rol kryesor në humbjen e besimit. Ne zbuluam se sidomos teoritë shkencore rreth evolucionit të jetës, kanë nxitur më shumë njerëz ta refuzojnë besimin në Zot, sesa shqetësimet për vuajtjet, sëmundjet ose vdekjen.

Po ashtu, ai tregoi se 65 për qind e ateistëve të vetë-cilësuar si të tillë, dhe 43 për qind e agnostikëve besojnë se “gjetjet e shkencës në përgjithësi, e bëjnë më pak të mundshme ekzistencën e Zotit”.

Është e lehtë ta kuptosh arsyen pse ky perceptim është kaq i përhapur.

Vitet e fundit, shumë shkencëtarë janë shfaqur si zëdhënës të famshëm të ateizmit. Richard Dawkins, Lawrence Krauss, Bill Nye, Michael Shermer, i ndjeri Stephen Hawking dhe të tjerë kanë botuar libra popullorë, ku argumentojnë se shkenca e bën të panevojshëm apo të pabesueshëm besimin në Zot.

”Universi që vëzhgojmë ka vetitë që ne duhet të presim nëse në fund, nuk ka asnjë qëllim, asnjë projekt… Asgjë tjetër veçse indiferencë e verbër dhe e pamëshirshme”- shkroi Dawkins.

Megjithatë, midis mesazhit dhe realitetit, ekziston një hendek i madh.

Gjatë shekullit të kaluar, zbulime të rëndësishme shkencore e kanë sfiduar fort ateizmin e bazuar tek shkenca. Dhe në veçanti 3 prej tyre, tregojnë një histori shumë më miqësore ndaj Zotit.

Së pari, shkencëtarët kanë zbuluar se Universi fizik e kishte një fillim. Ky zbulim, i mbështetur nga astronomia vëzhguese dhe fizika teorike, bie ndesh me pritshmëritë e ateistëve shkencorë, të cilët prej kohësh e portretizuan Universin si të përjetshëm dhe vetë–ekzistent,​ dhe që rrjedhimisht nuk ka nevojë për një krijues të jashtëm.

Dëshmitë për atë që shkencëtarët e quajnë Big Beng, kanë konfirmuar pritshmëritë e teistëve tradicionalë. Fituesi Çmimit Nobel Arno Penzias, që ndihmoi në arritjen e një zbulimi kyç në mbështetje të teorisë së Big Bengut, ka vënë në dukje lidhjen e dukshme midis pohimit të tij të një fillimi kozmik dhe konceptit të krijimit hyjnor. “Të dhënat më të mira që kemi janë pikërisht ato që do të kisha parashikuar, po të mos kisha asgjë tjetër përveç 5 librave të Moisiut…dhe Biblës në tërësi”- shkruan Penzias.

Së dyti, zbulimet nga fizika rreth strukturës së Universit e përforcojnë këtë përfundim teist. Që nga vitet 1960, fizikanët kanë përcaktuar se ligjet dhe parametrat themelorë fizikë të Universit tonë janë përshtatur mirë, përkundër të gjitha gjasave, për ta bërë Universin tonë të aftë të mbajë jetën.

Edhe ndryshimet më të vogla midis shumë faktorëve të pavarur – si forca e tërheqjes gravitacionale ose elektromagnetike, ose rregullimi fillestar i materies dhe energjisë në Univers – do ta kishin bërë të pamundur jetën. Shkencëtarët kanë zbuluar se ne jetojmë në atë që fizikanti australian Luke Barnes e quan një “Univers me fat”.

Nuk është për t’u habitur që shumë fizikanë kanë arritur në përfundimin, se ky rregullim flet për një “akordim kozmik shumë të detajuar”. Siç argumentoi ish-astrofizikani i Kembrixhit, Sër Fred Hoyle “Një interpretim logjik i të dhënave sugjeron, se një super-intelekt është bashkuar me fizikën për të bërë të mundur jetën”.

Së treti, biologjia molekulare ka zbuluar praninë tek qelizat e gjalla të një bote të imët të  nanoteknologjisë informative. Këto përfshijnë kodin dixhital në ADN dhe ARN, makineri të vogla molekulare, të ndërtuara në një mënyrë shumë të ndërlikuar, të cilat e tejkalojnë shumë teknologjinë tonë dixhitale sa i përket aftësisë së tyre të ruajtjes dhe transmetimit.

Madje edhe vetë Richard Dawkins e ka pranuar se “kodi i makinës së gjeneve, është shumë i ngjashëm me kompjuterin”, duke nënkuptuar veprimtarinë e një programuesi mjeshtëror në fillimet e origjinës së jetës. Zbulimet e biologjisë moderne, nuk janë ato që do të priste dikush nga proceset thjesht materialiste.

E gjitha kjo nënvizon një pabarazi në rritje midis perceptimeve publike për mesazhin e shkencës, dhe asaj që tregojnë faktet shkencore. Zbulimet e mëdha të shekullit të kaluar, nuk tregojnë një “indiferencë të verbër dhe të pamëshirshme”, por për projektin e detajuar të jetës dhe Universit, dhe ndoshta për një krijues inteligjent që qëndron pas të gjithave.

Shënim: Stephen C.Meyer, drejton Qendrën për Shkencë dhe Kulturë në Discovery Institute në Siatëll, SHBA.