Bota Sa efikase janë sanksionet?

Sa efikase janë sanksionet?

Dyqane të mbyllura në Rusi

Ato janë politikisht të njohura, por shkencërisht të diskutueshme: Sanksionet. Ato janë futur ndaj vendeve si Rusia, Kuba, Kina… Por sa efikase janë?

Embargoja e armëve, ndalimi i udhëtimit, bllokada tregtare… Sanksionet po përdoren gjithnjë e më shumë. Shembujt e fundit janë sanksionet e Kinës kundër Tajvanit dhe sanksionet e vendeve perëndimore kundër Rusisë pas ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë.

Ndërsa Kombet e Bashkuara (OKB) kanë futur sanksione ndaj 14 vendeve, në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian janë 35 vende. Ndërkohë që SHBA ka në listën e sanksioneve madje 38 vende dhe organizata.

Por a funksionojnë dhe sa janë efikase këto sanksione? A shkojnë vërtet ato përtej simbolikës? Në raportin e tij më të fundit, “Instituti Gjerman për Studime Globale dhe Rajonale” (Giga) nxjerr një bilanc të përzier.

“Më pak se gjysma e sanksioneve përfundojnë me lëshime të plota nga të sanksionuarit”, thotë ai. “Kjo e bën të qartë se sanksionet janë një instrument ambivalent i politikës së paqes dhe, sikur edhe ndërhyrjet ushtarake, duhet të përfshihen në një strategji të përgjithshme politike, diplomatike dhe ekonomike.”

Sipas Giga, ka edhe raste të “sukseseve të qarta”. Këtu bëjnë pjesë fundi i programit të armëve bërthamore të Libisë (sanksionet 1978-2006), masat kundër korrupsionit në Bullgari (2007-09) dhe sanksionet e OKB-së për luftën civile në Bregun e Fildishtë (2003-16). Edhe sanksionet kundër aparteidit në Afrikën e Jugut në vitet 1990 konsiderohen si sukses. DW ka përzgjedhur gjashtë shtete nga lista e gjatë e vendeve të sanksionuara, për analizë.

Turqia

Që nga 14 tetori 2019, BE ka vendosur sanksione ndaj Ankarasë. Arsyeja janë shpimet dhe kërkimet e gazit në Mesdheun lindor në brigjet e Qipros. Masat përfshijnë ndalimin e udhëtimit ose ngrirjen e aseteve të individëve dhe kompanive të përfshira në prodhimin e gazit.

Përveç kësaj, SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj partnerit të NATO-s që nga dhjetori 2020. Arsyeja ishte blerja e pajisjeve ushtarake nga eksportuesi shtetëror rus i armëve Rosoboronexport. Ankaraja i ka shkelur rregullat e SHBA-së, që ndalojnë bizneset me vendet e sanksionuara nga SHBA, siç është rasti i Rusisë. Sanksionet e kanë përkeqësuar krizën ekonomike në Turqi, por ende nuk kanë çuar në dorëzimin e presidentit Erdogan.

Venezuela

Shumë vende kanë vendosur masa ndëshkuese kundër qeverisë së Venezuelës dhe presidentit Nicolas Maduro, mbi të gjitha SHBA-ja, Kanadaja, Meksika, Panamaja dhe Zvicra.

SHBA ka futur sanksione të gjera kundër qeverisë në Karakas prej vitit 2015, ndërsa kundër kompanisë shtetërore të naftës PDVSA, nga viti 2019. Por pas shpërthimit të krizës aktuale të energjisë, disa sanksione janë zbutur. Që nga nëntori 2017, BE ka vendosur gjithashtu masa kufizuese në përgjigje të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe demokracisë në këtë vend. Sanksionet e kanë izoluar politikisht Venezuelën dhe e kanë bërë vendin më të varur nga Kina dhe Rusia. Ndryshimi i dëshiruar i regjimit nuk ka ndodhur.

Kuba

Embargoja tregtare e vendosur ndaj Kubës nga presidenti amerikan John F. Kennedy më 3 shkurt 1962 është sanksioni më jetëgjatë në histori. Embargoja kishte për qëllim rrëzimin e liderit Fidel Kastro dhe regjimit komunist.

Çdo vit, që nga viti 1992, Kuba ka paraqitur një mocion në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të dënuar dhe shfuqizuar embargon tregtare të SHBA-së. Një shumicë e madhe e vendeve janë tani në favor të përfundimit të masave, veçanërisht vendet në Amerikën Latine. BE-ja hoqi sanksionet kundër Kubës në vitin 2008.

Pasi ish-presidenti amerikan Trump tërhoqi lehtësimet e bëra nga paraardhësi i tij Barack Obama, Joe Biden tani dëshiron të zbusë sërish regjimin e sanksioneve amerikane ndaj Kubës. Sanksionet e kanë forcuar regjimin në Havanë, sepse Kastro dhe regjimi i tij mund të fajësonin SHBA-në për të gjitha krizat në Kubë.

Mali

Vendi i Afrikës Perëndimore Mali është futur nën sanksione të shumta – nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së (rezoluta e 5 shtatorit 2017), nga komuniteti ekonomik i Afrikës Perëndimore Ecowas, nga BE dhe SHBA.

Për shkak të “shkeljeve të përsëritura të marrëveshjes së armëpushimit, traktatit të paqes të vitit 2015, aktiviteteve terroriste dhe sulmeve kundër misionit paqeruajtës të OKB-së MINUSMA”, SHBA vendosi më 26 korrik 2019 sanksione shtesë ndaj këtij vendi.

Komuniteti ekonomik Ecowas, i cili gjithashtu vendosi sanksione ndaj Malit pas grusht-shtetit ushtarak në gusht 2020, i hoqi këto sanksione më 7 korrik të këtij viti. Arsyeja ishte se me shpalljen e zgjedhjeve parlamentare për nëntor 2023 dhe zgjedhjeve presidenciale në 2024, ishin plotësuar bazat për heqjen e sanksioneve.

Libia

Edhe lista e sanksioneve kundër Libisë është e gjatë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi për herë të parë një seri kufizimesh në vitin 1993 pas një sulmi me bombë në një aeroplan pasagjerësh amerikanë mbi Lockerbie, Skoci. Këto u hoqën në vitin 2003 pasi kreu i atëhershëm i shtetit Muammar al-Gaddafi u deklarua fajtor dhe 270 familje të viktimave u dëmshpërblyen.

Gjatë luftës civile në vitin 2011, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një paketë sanksionesh duke përfshirë edhe një zonë ndalim-fluturimi. Ndalimi i eksportit të naftës, i cili supozohej të hiqej më 30 korrik 2022, u zgjat deri më 30 tetor 2023. Më 21 shtator 2020, BE vendosi sanksione shtesë për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe shkeljet e embargos së armëve. Masat ishin pjesërisht të suksesshme, veçanërisht zona e ndalim-fluturimit konsiderohet e suksesshme.

Irani

Asnjë vend tjetër nuk është përballur me një regjim kaq kompleks të sanksioneve sa Irani

Asnjë vend tjetër nuk është përballur me një regjim kaq kompleks të sanksioneve sa Irani. Përveç programit bërthamor iranian, arsye për këtë janë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe mbështetja e terrorizmit. Sanksionet e OKB-së ndaj Iranit u hoqën në dy hapa. Më 16 janar 2016, pas përfundimit të programit bërthamor, dhe në tetor 2020 kur u hoq embargoja e armëve e OKB-së. Kjo konsiderohet si provë e efektivitetit të sanksioneve.

BE-ja u rreshtua me OKB-në, por mbajti disa sanksione kundër Iranit, për abuzime të të drejtave të njeriut dhe terrorizëm. Edhe SHBA po i përmbahet një regjimi kompleks sanksionesh, pavarësisht lehtësimeve që janë bërë ndërkohë. Sanksionet kanë pasur pasoja masive ekonomike në Iran. Pas një vizite në Iran në maj të këtij viti, e dërguara e OKB-së, Alena Douhan është shprehur “shumë e shqetësuar” për problemet humanitare në këtë vend./DW