Një i ri mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të mërkure në Elbasan.
Viktimë nga kjo ngjarje ka mbetur Madrit Ulqinaku, 25 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:50, pranë zonës së stadiumit. Paraprakisht dyshohet se viktima sapo kishte dalë nga një lokal dhe është qëlluar teksa po hipte në makinën e tij.
Në një njoftim paraprak për ngjarjen policia tha se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur pas konflikti për motive të dobëta midis disa të rinjve, ndërsa si autor i dyshuar është identifikuar një 20-vjeçar.
“Më datë 17.08.2022, rreth orës 21:50, në lagjen “Kongresi”, Elbasan, gjatë një konflikti për motive të dobëta midis disa të rinjve, dyshohet se shtetasi K.SH, rreth 20 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi M. U., rreth 25 vjeç, banues në Elbasan.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, së bashku me grupin hetimor. Është rrethuar zona dhe vijon krehja e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes“, tha policia e Elbasanit në njoftimin e saj për mediat.