Aktualitet Vrasja e 41-vjeçarit në Sarandë, arrestohen edhe vëllai i autorit të dyshuar...

Vrasja e 41-vjeçarit në Sarandë, arrestohen edhe vëllai i autorit të dyshuar dhe administratori i hotelit

Ka shkuar në 3 numri i personave të arrestuar për vrasjen e 41-vjeçarit Klodian Bakia në Sarandë pasditen e së mërkurës, i cili u godit me thikë në zemër.

Përveç autorit të dyshuar Xhanelo Tarja 24 vjeç nga Laçi, është arrestuar edhe vëllai i tij Xh.Taraj 18 vjeç dhe administratori i hotelit në Sarandë, G.A. 41 vjeç ku punonin të dy vëllezërit.

24-vjeçari akuzohet për plagosje e rëndë me dashje me pasojë vdekjen e kryer në bashkëpunim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta. Të njëjtat akuza policia ka referuar edhe për vëllain e tij 18-vjeçar.

Dy vëllezërit punonin në një hotel në Sarandë ku ishin punësuar përkohësisht. Policia ka arrestuar edhe administratorin e hotelit ku punonin vëllezërit nga Laçi, pasi nuk ka pranuar të tregojë rrethanat e kësaj ngjarjeje për krimin e kryer nga punëtorët e tij, si dhe ka kryer veprime për fshehjen e provave në lidhje me këtë ngjarje.

Ai akuzohet për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Vrasja e 41-vjeçarit Klodian Bakia nga Tepelena ndodhi pas një sherri për një vend parkimi pranë hotelit. 41-vjeçari u godit me thikë në zemër duke gjetur vdekjen.