Ish-Prokurori i Përgjithshëm i Meksikës Jesus Murillo Karam është arrestuar pasi dyshohet se ka lidhje me zhdukjen e 43 studentëve në vitin 2014.
Këta studentë u zhdukën teksa udhëtonin me autobusë për të marrë pjesë në një protestë në Meksikë. Për fatin e tyre nuk dihet asgjë, e vetmja gjë që është zbuluar janë disa mbetje kockore vetëm nga tre studentë.
Në 26 Shtator 2014 policia bashkiake hapi zjarr ndaj autobusëve që transportonin studentët, por ajo që ndodhi më pas është ende e diskutueshme.
Zhdukja misterioze e studentëve tronditi botën dhe shkaktoi protesta të mëdha në Meksikë kundër mosndëshkimit dhe bashkëpunimit të shtetit me krimin e organizuar.
Sipas të dhënave dyshohet se studentët u arrestuan fillimisht nga zyrtar të korruptuar të policisë dhe më pas iu dorëzuan një karteli droge, i cili i ngatërroi me anëtarët e një bande rivale përpara se t’i vriste.
Jesus Murillo Karam ishte në krye të hetimeve për këtë ngjarje tronditëse. Nga hetimet e tij, tashmë të diskutueshme, u fajësuan për vrasjen dhe djegien e studentëve anëtarët e një karteli droge.
Por rezultatet e këtij hetimi të miratuara nga presidenti i atëhershëm Enrique Pena Nieto, u kritikuan nga ekspertë dhe të afërm të studentëve të zhdukur, sipas të cilëve fajtor për zhdukjen e studentëve janë forcat e armatosura të shtetit.
Komisioni i së Vërtetës i krijuar nga presidenti aktual Andre Manuel Lopez Obradori, ka thënë se ushtarët kanë përgjegjësi për masakrën, në qoftë se në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, ata kanë përgjegjësi për neglizhencën e treguar.
“Veprimet, mosveprimet ose pjesëmarrja e tyre, lejuan zhdukjen dhe ekzekutimin e studentëve”, tha Alejandro Encinas, kreu i komisionit.
Në fillim të këtij viti presidenti Lopez Obrador ka treguar se anëtarët e marinës po hetoheshin për ngatërrim të provave, duke përfshirë këtu mbetjet njerëzore të gjetura në mbeturina.
“Publikimi i kësaj situate mizore, çnjerëzore dhe në të njëjtën kohë ndëshkimi i atyre që janë përgjegjës, ndihmon për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla”, u shpreh udhëheqësi meksikan.
Deri më tani Jesus Murillo Karam është zyrtari më i lartë i qeverisë i arrestuar në lidhje me zhdukjen e studentëve.